Parimi i fituesit të dyfishtë nuk është kategori kushtetuese, por politike – ndonëse shqiptarëve u mundëson barazi me maqedonasit etnik, në aspektin politik dhe etnik, thonë njohësit e rrethanave politike
Zenel MIFTARI
Shkup, 27 korrik – Ideja që së fundmi ka dalë BDI në opinion është ideja e bashkimit të partive politike shqiptare rreth pesë pikave. Zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani, në një prononcim për një media ka shpalosur pikat kryesore për të negociuar me partitë shqiptare që në të ardhmen do të bashkoheshin mbi këta pesë shtylla:
1. Në zgjedhje nuk garojmë me më shumë se dy lista.
2. Partia që e merr një votë më shumë flet në emër të shqiptarëve me komunitetet tjera.
3. Partitë dhe deputetët e partive që kanë një votë më pak, japin mbështetje partisë së parë, që për vijat strategjike tona të flasin në emër të gjithë deputetëve shqiptarë, kurse për çështje të politikës ditore do të jenë korrektori kryesor.
4. Deputetët e partive jofituese nuk bëjnë biseda anësore për të dobësuar pozitat negociuese të partisë fituese (si në vitin 2006).
5. Mundësi për bashkëpunime në forma të ndryshme në interes të qytetarëve mes partive politike shqiptare. Osmani më tej ka thënë se është shumë me rëndësi që partitë politike shqiptare në RMV të dakordohen për një platformë shqiptare në garën politike që në të ardhmen të jetë e përhershme për politikën shqiptare.
OPOZITA ME KOMENTE TË NDRYSHME
Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa, për gazetën KOHA, ka thënë se deri te ata nuk ka arritur asnjë iniciativë apo kërkesë zyrtare rreth çështjeve për të cilat e kemi pyetur. Ai ka shtuar se deri sa nuk kanë një njoftim zyrtar do përmbahen nga komentet ndaj mediave. Në anën tjetër, Flakron Bexheti, nga Aleanca për Shqiptarët, përmes gazetës KOHA, i është përgjigjur pesë shtyllave të BDI-së që i propozoi Bujar Osmani. Ai ka thënë se BDI po vazhdon të jetë subjekti politik më përçarës deri më tani. “Sot e kësaj dite eksponentët politik të BDI-së, 12 deputet e koalicionit tonë i paraqesin si të ndarë nga koalicioni. BDI-ja mos të vjedh dhe mos ta blej vullnetin e lirë të shqiptarëve që nesër të thirret në legjitimitetin e shqiptareve”, është shprehur Bexheti. Ai në fund ka thënë se BDI, nuk duhet të tentoj ti mashtroj shqiptarët, me shtylla dhe me bileta, por të realizoj premtimin e saj për kryeministrin e parë shqiptarë, për të cilin kanë kërkuar votat nga shqiptarët.
SHUMICA E DALË NGA ZGJEDHJET KRIJON LEGJITIMITETIN MORAL
Pedagogu universitar Ymer Ismaili, për gazetën KOHA, është shprehur se parimi fituesit të dyfishtë nuk është kategori kushtetuese por politike. Sipas tij, partia fituese te maqedonasit nuk është e detyruar ta merr partinë fituese në kampin politik shqiptar. “Parimi i shumicës së dyfishtë, shqiptarëve u mundëson barazi me maqedonasit etnik, në aspektin politik dhe etnik. Ky parim është i domosdoshëm që ky shtet të funksionoj dhe të mbijetoj. Mos respektimi i këtij parimi i cili në thelb është etnik krijon gjendje kaotike në Maqedoninë e Veriut”, ka shtuar Ismaili. Mos respektimi i këtij parimi, siç tha ai, dëmton dhe viktimizon shqiptarët. Sipas tij, ky parim në rend të parë duhet të respektohet mes partive shqiptare.
“Në këtë mënyrë partive maqedonase do ju mbyllen mundësit për të zgjedh mes partive shqiptare, të cilët nuk përfaqësojnë vullnetin politik të shumicës shqiptare të shprehur në zgjedhje. Kjo kategori politike dhe etnike në të ardhmen domosdoshmërish duhet të bëhet si kategori juridiko-kushtetuese”, përfundoi Ismaili. Ndryshe, partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, tre vite më parë u bashkuan rreth platformës politike shqiptare në zgjedhjet e kaluara me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ndërmjetësimi u bë për shkak se atë kohë përfaqësuesit e Lëvizjes Besa, nuk uleshin në tryezë me BDI-në pa ndërmjetësimin e kryeministrit Edi Rama. (koha.mk)