Komisionet parlamentare në Tiranë po përmbyllin procedurat e shqyrtimit të ndryshimeve në dy ligjet për mediat audio-vizive dhe për komunikimet elektronike dhe duket se po i çojnë drejt miratimit propozimet e qeverisë, megjithë kundërshtimet njëvjeçare të bashkësisë së mediave.
Deputetët socialistë në komisionin e ligjeve ishin të mendimit se mungesa e rregullave ligjore të detyrueshme për median online e rrit mundësinë për abuzime në mediat sociale. Por bashkësia e mediave shqiptare vazhdon të kërkojë me këmbëngulje prej një viti rrëzimin e “paketës antishpifje” të qeverisë, si një mjet që godet fjalën e lirë.
“Prej një viti qeveria Rama insiston për të patur një paketë ligjesh, të njohura si antishpifja, por ajo nuk ëhstë gjë tjetër si një mekanizëm censure për median e lrië dhe sidomos median e cila vjen përmes komunikimeve elektronike, pra për mes domaineve dhe portaleve mediatike. Shqipëria është ndërkohë në një periudhë të vështirë, sepse nuk ka as Gjykatë Kushtetuese, që të rrëzojë ligje të tilla” – tha përfaqësuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj.