Bazë e paqes është drejtësia, ndërsa për të filluar dhe për të rrjedhur procesi i pajtimit, është kyç momenti i gjetjes së drejtësisë apo ajo që quhet drejtësi transicioni në shoqëritë e pas-konflikteve, deklaroi profesori Ljubomir Danaillov Fërçkovski në diskutimin publik me temë “Pajtimi dhe ndërtimi i paqes – sfida dhe zgjidhje” që u mbajt javën e kaluar në organizim të Progres Institutit dhe Qendrës rinore kulturore – Manastir.
“Më pas pason tentimi që të krijohet e vërteta zyrtare për ngjarjet e konfliktit. Mund madje edhe të krijohet e vërtetë paralele për secilën nga palët. Ato dy të vërteta nuk është e thënë të përputhen, por thelbi për t’u ndërtuar paqja është të pranohet e vërteta tjetër dhe të respektohet e njëjta”, tha Fërçkovski në debatin publik, që u mbajt në suaza të IPA projektit rajonal “E kaluar e ndarë – E ardhme e përbashkët”.
Në diskutimin në kontekst të vetë titullit, pajtimi dhe ndërtimi i paqes, me fokus në raportet etnike, historia (e përbashkët) dhe ulja e distancës etnike, paraqitje të veta patën prof. dr. Ljubomir Danaillov Fërçkovski, deputeti dhe profesori universitar, Stevo Pendarovski dhe analisti Albert Musliu. Deputeti dhe profesori universitar, Stevo Pendarovski përmendi se është kyçe të arrihet marrëveshje për prioritetet dhe interesat e përbashkëta, në bazë të të cilave do të ndërtohet bashkëjetesa.
“Drejtësia është moment i rëndësishëm në procesin e pajtimit dhe ndërtimit të paqes”, theksoi Pendarovski. Analisti politik, Albert Musliu, nga ana e tij theksoi se bashkëjetesa e disa bashkësive etnike në një shtet duhet të ndërtohet në bazë të së vërtetës së përbashkët dhe interesave të përbashkëta.
“Ajo që është e përbashkët për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, që do të thotë edhe për maqedonasit edhe për shqiptarët dhe për të gjithë të tjerët është dëshira për jetë më të mirë, paqe dhe drejtësi. Njëherit, në vendin tonë krahas ndryshimeve politike dhe etnike, duhet të ketë ndryshime zhvillimore të cilat do të jenë forcë shtytëse e jetës më të mirë. Në shumë raste historike, përparimi dhe zhvillimi ekonomik çon drejt zhvendosjes së problemeve arkaike”, tha Musliu.
Ky diskutim publik është pjesë e serisë së aktiviteteve në suaza të projektit “E kaluar e ndarë – E ardhme e përbashkët”, që ka për qëllim rritjen e kapaciteteve për ndërtim të paqes dhe pajtimit. “E kaluar e ndarë – E ardhme e përbashkët” është projekt rajonal katërvjeçar që është i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i cili ka për qëllim zhvendosjen e dallimeve mes bashkësive të ndryshme në vendet nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia.
Në zbatimin e Projektit janë kyçur 18 organizata nga shtatë vende, së bashku me partner organizata nga Sllovenia, Kroacia dhe Austria. Ato bashkarisht punojnë në krijimin e një platforme të qëndrueshme ndërsektoriale për bashkëpunim në sferën e zbatimit të politikave për ndërtim të paqes dhe pajtimit përmes mekanizmave inovativ. Qëllim kryesor i projektit “E kaluar e ndarë – E ardhme e përbashkët” është që organizatat qytetare të njihen nga qeveritë në rajon si faktor i rëndësishëm shoqëror me kapacitet të fuqishëm për ndërtim të paqes dhe pajtimit. Organizatat partnere nga vendi ynë të përfshira në projekt janë Progres Instituti për Demokraci Sociale dhe Qendra rinore kulturore – Manastir.