Më shumë shtete në Evropë dhe botë kanë filluar vaksinimin e detyrueshëm për punëtorët në një pjesë të sektorit publik. Veprimet e tilla të qeverive kanë ngritur debate për një hap të tillë, si dhe kanë hasur në kundërshtime të hapura dhe kritika
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 shtator – Më shumë shtete në Evropë dhe botë kanë filluar vaksinimin e detyrueshëm për punëtorët në një pjesë të sektorit publik. Veprimet e tilla të qeverive kanë ngritur debate për një hap të tillë si dhe kanë hasur në kundërshtime të hapura dhe kritika. Të mërkurën mbrëma është raportuar për protesta në Slloveni, ku policia ka njoftuar se rreth 8000 protestues morën pjesë në këtë protestë, duke e bërë më të madhen deri më tash në Slloveni kundër kufizimeve anti-COVID. Kufizimet e reja kanë hyrë në fuqi në Slloveni të mërkurën, duke përfshirë këtu certifikatën “PCT” si kusht për të hyrë në vende pune apo shitore. Për të marrë certifikatën, qytetarët duhet të jenë të vaksinuar, testuar apo të kenë kaluar virusin. Nga ana tjetër, të enjten është raportuar se afër 3.000 punëtorë në sektorët e shëndetësisë dhe kujdesit në Francë janë pezulluar nga puna për shkak se kanë refuzuar vaksinimin kundër COVID-19. Lajmi u bë me dije nga ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran pasi u kalua afati i vaksinimit për këtë grup.
Ai tha se sektori i cili numëron 2.7 milion punonjës kishte vetëm 3000 pezullime dhe shumica prej tyre do të jenë të përkohshme. Ai theksoi se pezullimet prekën kryesisht stafin mbështetës dhe kishte shumë pak mjekë dhe infermier, ndërkohë që në vend ka pasur shumë persona të cilët kanë dhënë dorëheqjen. Ndërkohë, Sindikata CGT ka paralajmëruar për një “katastrofë shëndetësore”, nëse një numër i madh i punonjësve të kujdesit shëndetësor pezullohen. Qeveria e Francës thotë se masat e miratuara nga Parlamenti janë të nevojshme për të mbrojtur pacientët dhe publikun nga rritjet e reja të numrit të të infektuarve. Në ndërkohë, Italia është në pritje të marrë një vendim të rëndësishëm sa i përket vaksinimit me detyrim të popullsisë. Mediat italiane raportojnë se qeveria ka vendosur që të kërkojë “Pasaportën e gjelbër” për të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat. Askush prej tyre nuk do të pranohet në punë nëse nuk është vaksinuar. Drafti është miratuar edhe nga guvernatorët e rajoneve dhe tashmë pritet firma e kryeministrit. Vendimi, i çili pritet të firmoset nesër nga kryeministri Mario Draghi do të të fillojë të aplikohet mes datave 10-15 tetor dhe do të përfshijë të gjithë Italinë. Tashmë drafti është futur në godinën e qeverisë dhe ajo që mund të bëjë kryeministri sipas mediave italiane është të vendosë nëse detyrimi për “pasaportën e gjelbër” të futet në fuqi në të njëjtën datë si për nëpunësit publik ashtu edhe ata privatë apo t’u japë pak më shumë kohë kompanive private për përmbushjen e këtij detyrimi.
Shkaku se përse është vendosur gjysma e tetorit si data limit për vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve në sektorin publik dhe privat lidhet me fillimin e shkollave dhe rihapjen e plotë të transportit, gjë që mund të sjellë rritje të rasteve. Italia bëhet kështu vendi i parë në Bashkimin Evropian që aplikon vaksinim të detyrueshëm për punonjësit publik dhe ata privatë, ndërsa shënon numrin më të lartë të të vdekurve nga virusi korona në Evropë pas Britanisë së Madhe. Edhe shtetet e tjera si Greqia që përballohen me vështirësi për të përballuar valën e fundit të pandemisë, pritet të marrin një tjetër vendim të ashpër për vaksinimin e detyrueshëm. Zëdhënësi i qeverisë, Giannis Oikonomou la të hapur mundësinë se vaksinim me detyrim mund të aplikohet dhe për mësuesit e priftërinjtë. “Opsionet për zgjerimin e arsimit të detyrueshëm janë kudo, jo vetëm në shkolla. Në varësi të madhësisë së pandemisë dhe shkallës me të vilën vaksinimi është në rritje, është një opsion që duhet ta konsiderojmë gjithmonë në luftën kundër virusit korona. Ekziston një opsion i detyrueshëm për të gjithë, ka edhe për mësuesit nëse ka nevojë, edhe pse normat e vaksinimit atje janë mjaft të larta”, tha zëdhënësi.
Ndërsa në tërë botën po zhvillohet debate nëse është e mundur të futet vaksinimi i detyrueshëm kundër virusit korona, Gjermania me sa duket ka vendosur ta bëjë këtë lëvizje. Gazeta gjermane, “Bild” pretendon se CDU/CSU dhe SPD ranë dakord t’u japin punëdhënësve në kompani dhe institucione të caktuara mundësinë të pyesin për statusin e vaksinimit, si dhe të mos punësojnë njerëz të pa vaksinuar. Me fjalë tjera, debati në Gjermani po shkon në drejtimin se mundet firmat të kërkojnë informacione se a janë të vaksinuar të punësuarit, ndërsa shoqatat e punëdhënësve dalin me argument se në këtë mënyrë vendet e punës do të bëhen më të sigurta. Ministrja gjermane e drejtësisë nga partia SPD, që tradicionalisht përkrah punëtorët thekson se mund të ketë përjashtime nga kjo situatë vetëm në kushte të rrezikut të veçantë si vendet e punës në shëndetësi. Në Danimarkë është shënuar shkallë e lartë prej 72 për qind e vaksinimit, andaj edhe më 10 shtator është anuluar gjendja e jashtëzakonshme dhe të gjitha masat kundër pandemisë. Edhe në këtë shtet skandinav, me ligj parashikohet vetëm një numër i vogël i përjashtimeve kur mund të kërkohen informacione për gjendjen shëndetësore të të punësuarve. Njëherësh, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë kundërshtimet kundër vaksinimit të obligueshëm. Mijëra njerëz marshuan përtej Urës së Bruklinit duke brohoritur vulgarisht kundrejt presidentit Joe Biden dhe më pas u mblodhën pranë Bashkisë për të protestuar kundër mandateve të vaksinave të hënën, ndërsa politika e re kontroverse e kryebashkiakut Bill de Blasio që kërkon nga vendet të kërkojnë prova të goditjes. Qyteti gjithashtu ka urdhëruar që mësuesve dhe stafit në shkollat publike u kërkohet të marrin të paktën një dozë të vaksinës COVID-19 deri më 27 shtator.
Nuk ka mundësi testimi, as përjashtime për arsye fetare ose mjekësore. Ata mësues që refuzojnë të vaksinohen do të pushohen nga puna. Federata e Bashkuar e Mësuesve (UFT), e cila përfaqëson edukatorët e qytetit, ka thënë se po kërkon arbitrazh për të luftuar rendin. Gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bëjnë presion liderëve botërorë që të vaksinojnë popullsinë deri në vitin 2022, theksohet në një dokument të SHBA-ve, të publikuar një ditë më parë nga Reuters. Dokumenti tre-faqe i është drejtuar shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe sektorit privat të ftuar në një samit online të planifikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA u bën thirrje vendeve prodhuese të vaksinës të dhurojnë 1 miliardë doza shtesë vaksine dhe të përshpejtojnë shpërndarjen e 2 miliardë dozave të vaksinës për të cilat janë zotuar deri tani. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karin Jean-Pierre konfirmoi objektivin e vaksinimit prej 70 për qind, por nuk dha detaje mbi samitin ose dokumentin. Shkresa u bën thirrje vendeve më të pasura të sigurojnë që të paktën 3 miliardë dollarë të jenë në dispozicion në 2021 dhe 7 miliardë dollarë në 2022 për të siguruar gatishmërinë për vaksinim. Muajin e kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore dhe organizatat e tjera ndërkombëtare bënë thirrje udhëheqësve botërorë për të shpejtuar vaksinimet, duke paralajmëruar se më pak se 2 për qind e të rriturve në shumicën e vendeve me të ardhura të ulëta janë vaksinuar. (koha.mk)