Tetovë, 24 prill – Biblioteka “Maks van der Shtul” pranë Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) dhe Bibliotekës së Qytetit “Koço Racin” – Tetovë ka mbajtur ngjarje të përbashkët të titulluar “leximi dhe të rinjtë” në drejtim të motivimit të studentëve që sa më tepër të lexojnë libra, njofton KOHA.
Në suaza të ngjarjes u promovuan studimet “Sa lexojnë të rinjtë sot” të Donika Bakiut si dhe “Biblioteka si pasqyrë e shoqërisë” të autores Elmedina Abdullai dhe drejtoreshë e bibliotekës “Maks van der Shtul”.
“Studentët të bëhen lexues jo vetëm të teksteve universitare, por edhe të librave në përgjithësi. Duhet të inkurajohen, ndërsa mësimdhënësit të përdorin metoda pedagogjike në drejtim që t’i nxisin të lexojnë sa më shumë”, theksoi doc. dr. Meral Shehabi nga UEJ-ja.
Pas prezantimit të studimeve është mbajtur debat me nxënësit, ndërsa u ndanë edhe disa libra për studentët më të rregullt në bibliotekën e UEJL-së dhe në Bibliotekën e Qytetit. (koha.mk)