Shkup, 30 janar – Shkalla e papunësisë tek të rinjtë është 48 për qind dhe ata këtu nuk e shohin të ardhmen, ose 60 për qind e tyre kanë deklaruar se do të ishin shpërngulur nga shteti, ka thënë Bllazhen Maleski, kryetar i Këshillit nacional të të rinjve në Maqedoni në diskutim e sotëm me temë: “Ligj për të rinjtë: Pse nevojitet ligji për të rinjtë?”, pwarcjellw gazeta KOHA.
“Nëntëdhjetë e shtatë për qind e të rinjve asnjëherë nuk janë përfshirë në asnjë konsultim ose vendim në nivel lokal. Kjo nënkupton se si shtet nuk kemi sistem të pyesim të rinjtë çka mendojnë për ato politika që sillen për ta”, ka thënë Maleski.
Kushtrim Alla, kryetar i Forumit të të rinjve të BDI-së ka thënë se procesi i përpunimit të ligjit për të rinjtë ka qenë proces i cili ka reflektuar inkluzivitet, pro edhe bashkëpunim mes Forumeve politike në vetë grupin e punës.
“I gjithë ligji drejtohet në forcimin e pozitës së të rinjve në vend duke ndjekur shembujt e suksesshëm të shteteve evropiane. Por, nga ana tjetër, përpiqemi të krijojmë ligj unikat për të rinjtë që do të ketë parasysh të gjitha rrethanat shoqërore në shtet dhe me këtë të gjendet zgjidhje për të rinjtë që përfundimisht të mund të depërtojnë në procesin e vendosjes, ose të dëgjohet zëri i tyre”, ka thënë Alla.
Darko Kaevski, kryetar i të rinjve socialdemokrat ka thënë se Strategjia nacionale për të rinjtë do të shkruhet në Ligjin për të rinjtë, ku do të merr vendin e duhur me qëllim sa më shumë të jetë e mundur të servisojë nevojat e të rinjve dhe të ngrit standardin e të rinjve.
“Kjo nënkupton se ne si rini do të duhet seriozisht të vërtetojmë masat serioze që do të jenë në interes të të rinjve, me qëllim të rinjtë t’i mbajmë këtu. Kuptohet, t’u ofrojmë kushte adekuate, para së gjithash në gjetjen e vendit të punës”, ka thënë Kaevski.
Ndërkohë, Jovan Jaulevski, kryetar i Unionit të të rinjve të VMRO-DPMNE-së, ka thënë se qëndrimi tyre është të sillet zgjidhje gjithëpërfshirëse që do të inkorporojë të rinjtë në shtet dhe i cili do të rregullojë të drejtat e tyre dhe mundësitë.
“Si Forum i të rinjve politik angazhohemi për proces inkluziv dhe më të gjerë ku të gjithë të rinjtë kanë qëndrim të tyre për këtë çështje dhe të tregojnë vendimin e tyre”, ka thënë Jaulevski.
Debati publik është organizuar nga Platforma për multi-kulturalizëm, e mbështetur nga Instituti Progres për demokraci sociale dhe Fondacioni “Kalevi Sorsa” nga Finlanda. (koha.mk)