Shkup, 8 prill – Në seancën e mbrëmshme të Qeverisë u zhvillua debat i nxehtë midis ministrave për shpërndarjen e re të parave, nga arka e shtetit për shkak të krizës me koronën.
“Alsat” informon se një pjesë e mirë e ministrave nuk duan që tu zvogëlohet sasia e parave të shtetit, të parashikuara për shpenzime për këtë vit. Informacioni i marrë nga Alsat është se në disa ministri do të shkurtohen deri 70% e fondeve të planifikuara, për projekte që qeveria do t’i deklarojë si jo prioritare në këtë kohë krize. Ministrja e Financave Nina Angelovska, konfirmoi për “Magazinën Ekonomike” se do të shkurtohen rreth 100 milion euro. Angelovska kërkoi solidaritet nga të gjithë ministrat.
“Kur flas për shkurtim prej 6,5 miliardë denarëve, dua të them për të gjitha institucionet për shpenzimet rrugore, shërbimet e kështu me radhë. E dini se u miratoi edhe vendimi për ndalim të furnizimeve publike që nuk lidhen me koronavirusin. E kam fjalën për shpenzime kapitale, blerje të pajisjes së caktuar, automjete, etj”, tha Nina Angellovska- ministre e financave.(koha.mk)