Talenti 19-vjecar i Ajaxit, Mathiijs de Ligt, vijon të mbajë në ankth tifozët por edhe të interesuarit për të mbi vendimin për të ardhmen e tij. Mbrojtësi holandez, kapiten i Ajaxit, është përfolur rishtazi mbi një kalim te gjigantët spanjollë të Barcelonës. Katalanët nuk e fshehin interesin madhor për shërbimet e tij, pasi pak kohë më parë zyrtarizuan blerjen e de Jong.
“Besoj se de Jong ka zhvilluar një sezon shumë të mirë dhe ka bërë zgjedhjen e duhur. Do të isha shumë i lumtur nëse do të luaja sërish pranë tij. Jo domosdoshmërisht në këtë moment, por Barcelona dhe Frenkie de Jong janë një atraksion i fortë për mua,” – është shprehur qendërmbrojtësi, duke dhënë një indicie shumë të rëndësishme për të ardhmen e tij.
Në bisedimet mes palëve qëndron si faktor me peshë edhe menaxheri i tij, Mino Raiola, që shton kështu kostot financiare të këtij transferimi. Juventusi e klube të tjera të mëdha janë të gatshëm për të përfituar nga dyzimi i lojtarit, por sërish Barcelona duket e avantazhuar dhe ndoshta shpejt do të finalizohet një prej sagave të kësaj merkatoje.