Elseid Hysaj dhe Napoli, një histori dashurie që merr fund këtë verë. Të paktën, kështu janë të gjitha gjasat. Inter dhe Roma kanë bërë sondazh, por edhe Chelsea do të ishte në garë, nëse FIFA nuk do t’i bllokonte merkaton.
Pas katër vitesh, shkodrani është gati për një destinacion të ri.
E megjithatë, nuk do të jetë e lehtë që të gjendet një blerës. Kjo pasi, sipas “Il Mattino”, presidenti i Napolit, De Laurentis, nuk është dakord që futbollisti i kombëtares së Shqipërisë të shitet për një vlerë të vogël në merkato: pra, 20-25 mln euro, siç ishte përfolur.
Gazeta që është pranë Napolit ka shkruar se, në mbledhjen e fundit me drejtorin sportiv, padroni i klubit axurr ka vendosur që të mos shesë Hysajn për më pak se sa 40 mln euro.
Një goditje e rëndë kjo për shkodranin, i cili me këtë vlerë, vështirë se do të mund të transferohet diku. Asnjë klub nuk do të mund të ofronte më shumë se sa 25 mln euro për Hysajn, pas një sezoni “fantazmë” dhe ku është kthyer në futbollist stoli.
Bisedat për rinovim kontrate me rritje rroge kanë ngecur. Në fakt, nëse De Laurentis pranon kërkesën e Hysajt me 2,5 mln euro në sezon, atëherë do të vazhdoë klauzola 50 mln euro, diçka që shqiptari dhe agjenti i tij nuk duan.