Xhani De Biazi duket se nuk ka ndër mend që të marrë drejtimin e skuadrave të vogla në kampionatin italian, për të luftuar për mbijetesën apo për ngjitjen në Serinë A. Kjo është arsyeja pse ish-trajneri i Shqipërisë vazhdon të refuzojë ofertat që i kanë ardhur gjatë kësaj periudhe për të marrë skuadra të cilat nuk luftojnë për objektiva prestigjiozë. E fundit është ajo që i ka ardhur nga skuadra e Peskarës, e cila kërkonte një teknik që ta largonte nga zona e rrezikshme e klasifikimit në Serinë B dhe të mendonte për të ndërtuar një cikël fitues në sezonin e ardhshëm. Sipas mediave italiane, De Biazit iu propozua edhe që të punonte përkrah Paolo Tramexanit, duke krijuar dyshen që udhëhoqi Shqipërinë, por tekniku ka refuzuar këtë ofertë duke bërë të qartë se nuk kishte në objektiv që të drejtonte skuadra të këtij niveli. Kësisoj, Peskara ka bërë një zgjedhje tjetër, duke i besuar ekipin Bepe Pillon, një emër i cili në të kaluarën ka drejtuar disa herë në Serinë A.