Trajneri italian Xhani De Biazi është prezantuar të hënën si trajneri i ri i skuadrës spanjolle Deportivo Alaves. Ai ka vendosur që të marrë me vete në staf edhe dy ndihmës me të cilët punoi në kombëtaren shqiptare, zv. trajnerin Marko Veroneze dhe përgatitësin atletik Arturo Bele. “Objektivi ynë nuk është të fitojmë kampionatin. Synojmë të dalim të katërtit nga fundi, kaq e thjeshtë”, u shpreh De Biazi.
Në një deklaratë për mediat, tekniku italian tregoi se ka parë ndeshjen me Real Madridin ku skuadra e tij e re humbi 2-1. Por, pavarësisht humbjes, ish-trajneri i Shqipërisë ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e Alavesit ndaj kampionëve në fuqi të Europës.
“Më pëlqeu mënyra se si luajti ekipi ndaj Real Madridit, me intensitet dhe dëshirë. Ishim të pafat pasi goditën dy herë shtyllën. Duhet të tregohemi të mençur dhe të jemi më të zgjuar se kundërshtari. Kemi nevojë që lojtarët të japin më shumë nga ajo se çfarë kanë bërë deri më tani, të gjithë e nisin nga zeroja”, deklaroi”, deklaro De Biasi. Në ndërkohë, Spanjollja “Marca” ka renditur pesë prej sfidave më të rëndësishme me të cilat do të përballet ish-trajneri i Shqipërisë në skuadrën e tij të re. “E para është që ekipi të dijë të shënojë gola, pasi u desh të luheshin gjashtë javë për një të tillë kundër Realit. Së dyti, të konsolidojë repartin e mbrojtjes. Së treti, të saktësojë një formacion të qëndrueshëm. Së katërti, të rikthejë besimin në vetvete te lojtarët. Së pesti, trajneri duhet të ribashkojë ekipin me tifozët, të cilët kanë qenë të shumtë në ndjekje në këto 6 javë të para”, ka shkruar “Marca”. De Biazi ka nënshkruar kontratë deri në fund të sezonit me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër.