Kombëtarja kuqezi vijon përgatitjet në Durrës, në “Resort Tropikal”, në kuadrin e sfidës së katërt kualifikuese në Grupin G, në kuadrin e Botërorit “Rusia 2018”. Të shtunën, në orën 20:45, në “Elbasan Arena”, Shqipëria do të përballet me Izraelin, në kushte të barabarta, sa u takon “valencave” të të dyja skuadrave. 6 pikë kanë kuqezinjtë në tri ndeshjet e para, por aq edhe izraelitët, respektivisht. Kësisoji, është një përplasje e ethshme për vendin e tretë, i cili konsiderohet objektiv i mirë, në kushtet kur në grup kemi edhe Spanjën me Italinë, favorite absolute në letër për të shkuar në Rusi. Trajneri De Biazi e ka studiuar kundërshtarin e radhës, ka dhënë vlerësimet maksimale për Izraelin, si një skuadër me sulm të rrezikshëm dhe kompakte.
Në funksion të atij që do të ketë përballë, po merr edhe masat taktike, po implementon strategjinë përkatëse në seancat stërvitore. Pasi ka parë gjendjen fizike të të gjithë lojtarëve, që ka thirrur për këtë ndeshje, 60-vjeçari nga Sarmede ka aplikuar skema të ndryshme, me lojtarë të ndryshëm në role të ndryshme, ku synimi final është fotmacioni më i mirë i mundshëm i momentit. Kështu, porta nuk ka dyshime, i besohet Etrit Berisha, ashtu si edhe katërshja mbrojtëse para tij, do të jetë sin ë kualifikueset e fundit. Në qendër, Mavraj dhe Gjimshiti, ndërsa nga krahët, nga e djathta në të majtë, Hysaj dhe Agolli. Para prapavijës, në rolin e një “amortizatori” të sulmeve të kundërshtarit, por edhe të nisjes së aksioneve dhe shpërndarjes së topave, kur dalim ne në ofensivë, do të luajë Kukeli.
Qendra e mesfushës do të ketë dy lojtarë me tipare të kundërta: Xhaka dhe Memushaj. I pari spikat për dyluftimet e forta dhe lëvizshmërinë e madhe në fushë, si rezultat i përgatitjes fizike (shkatërrues), ndërsa vlonjati i Pescara mund të vijojë qarkullimin e topit, pasi ta marrë nga Kukeli, për të plotësuar fazën tranzitore të ndërtimit të lojës. Krahët e këtij reparti kanë lojtarë në formë, që kanë spikatur në skuadrat e tyre. Në të djathtë do të patrullojë Odise Roshi, ndërsa në të majtë Azdren Llullaku. Që të dy njihen për aftësitë ofensive, kështu që do t’i bashkohen sulmuesit kryesor, Bekim Balaj, në kërkim të golit. Në fazën ofensive, pozicionet e tyre në krahët e mesfushës do t’i zënë Agolli dhe Hysaj, që spostohen përpara.
Sikurse shihet, vendin e titullari, në krahasim me ndeshjen pararendëse, pritet ta humbasë Hyka, që nuk ka pasur moment të mirë edhe te Luzern, ashtu si Abrashi. Ky i fundit qëndroi në stol edhe ndaj Spanjës, pavarësisht se konsiderohet motorri i mesfushës kuqezi. Lëndimi që kaloi, ndoshta e ka kushtëzuar të mos jetë në maksimumin e mundshëm. Në pamje të parë, pra, skema që do të përdorë De Biazi është 4-4-3, kur Shqipëria sulmon, ndërsa kur do të mbrohet, mesfusha bëhet me 5 lojtarë, duke kaluar në skemën 4-5-1. Sidoqoftë, ka ende séance stërvitore për t’u zhvilluar, ku De Biazi mund të ndryshojë mendje për lojtarë të veçantë, por skema e tij e lojës mbetet e njëjta.