Tiranë, 23 dhjetor – “Shqipëria dhe Maqedonia, synojnë të jenë një treg i përbashkët rajonal, për thithjen e investimeve, zhvillimin e tregtisë dhe të turizmit reciprok midis dy vendeve”, thotë ministri për Investimet e Huaja në Qeverinë e Maqedonisë, Bardhyl Dauti, në një interviste për ATSH-në duke theksuar se bizneset e Maqedonisë synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, duke shfrytëzuar shërbimet në Portin e Durrësit dhe jo në atë të Selanikut.
Dauti u shpreh se, “biznesi i Maqedonisë duhet të shfrytëzojë sektorin e turizmit në Shqipëri, posaçërisht për investime në hotelet me 4 e 5 yje dhe resorte turistike. Ndërsa biznesi shqiptar ka mundësi të rrisë investimet në Maqedoni në zonat zhvillimore industriale”.
Sipas tij në kuadër të Fondit për Ballkanin Perendimor, do të ishte mirë që Shqipëria dhe Maqedonia të promovohen si një treg unik, në mënyrë që dhe të ardhurat potenciale të jenë të mirëseardhura për të dy vendet.
Dauti nënvizoi faktin se, “në kuadër të këtij Fondi, edhe përfitimet potenciale përmes projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë, infrastrukturës, agrobujqësisë dhe turizmit, marrin përparësi krahasuese për të dy vendet, në krahasim me vendet e rajonit”.
“Aspirata integruese e të dy vendeve tona për integrimin në Bashkimin Evropian, lidhet me kriteret e Kopenhagës, që vendet pretendente duhet të promovojnë për një stabilitet makroekonomik, fiskal, përmirësimin e kushteve e të bërit biznes dhe politikë konkurruese që është një ndihmesë për të dyja vendet, që të kenë më shumë qasje në Fondin e Ballkanit Perendimor”, tha për ATSH-në, ministri Dauti.
Sipas tij ky Fond stimulon investimet në energjetikë, infrastrukturë dhe në projekte të ndryshme, materializimi i të cilave i bën Maqedoninë dhe Shqipërinë më konkurruese me vendet e tjera rajonale dhe që i bën të jenë më afër BE-së.