Shkup, 21 shkurt – Në Kosovë eksportohet miell nga Maqedonia, ndërsa ministri serb Rasim Ljaiq problemin me taksat e Kosovës për prodhimet serbe duhet ta zgjidh në Bruskel, e jo përmes tregtarëve në Maqedoni, porosit pronari i kompanisë “Dauti komerc”, Xhemail Dauti.
“Fakt është se mullistët nga Maqedonia importojnë grurë nga Serbia, por ne kemi edhe prodhim tonin. Mielli që eksportohet në Kosovë është prodhuar nga gruri i Maqedonisë, ndërsa problemi me kontrollet shtesë dhe pritjen në kufi është për shkak të kontrolleve që i bëjnë autoritetet kosovare”, tha Dauti në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve në konferecën e sotme për shtyp të Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore në zonën industriale Vizbeg.
Ai potencoi se autoritetet kompetente të Kosovës kontrollojnë nëse mielli nga Maqedonia e plotëson kriterin për prani të hekurit në miell.
“Une importoj miell nga Italia në Kosovë. Nuk ka mundur prodhuesi ta plotësojë kushtin për prani të hekurit në miell dhe për këtë shkak duhej të ndërpres me importin. Që të vazhdojë, prodhuesi duhet të furnizojë teknologji të re që ta plotësojë kushtin. Në Kosovë importoj dhe një pjesë nga mielli integral nga Maqedonia, të cilat i plotësojnë kriteret dhe për to nuk ka kurrëfarë proiblemi”, tha Dauti.