Daut Dauti, gazetar dhe publicist i njohur nga Kosova, e ka sjell në kujtesë vrasjen e gazetarit britanik Kerem Lawton nga forcat e ushtrisë dhe policisë së Maqedonisë më 29 mars të vitit 2001 në fshatin Krivenik të Kosovës. Në një postim në Facebook, Dauti shkruan se “sa herë që vjen fundi i marsit, duhet ta pyesim ‘vlladën’ e Maqedonisë: PSE E VRATË GAZETARIN BRITANIK, KEREM LAWTON-in?”.
“Kur u vra Kerem Laëton (29 mars 2001) unë kam qenë sekretar i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës dhe me këtë rast, shoqata organizoi një mbledhje komemorative në të cilën morën pjesë shumë gazetarë për të shprehur dhembje për kolegun e tyre, por edhe brengosje për mungesën e sigurisë gjatë ushtrimit të profesionit. Pjesa kryesore e fjalimit tim ka qenë kërkesa që të zbardhet kjo vrasje. Pyetjet që ne gazetarët ia parashtruam pushtetit të atëhershëm – UNMIK-ut, KFOR-it, por edhe Qeverisë maqedone, kanë qenë: Pse, si dhe kush e vrau gazetarin Kerem Lawton? Askush, asnjëherë nuk ka dhënë ndonjë shpjegim. Pasi ende nuk kemi përgjigje, të njëjtat pyetje duhet t’i parashtrojmë edhe sot. Duhet përkujtuar që në fshatin Krivenik, së bashku me gazetarin britanik Kerem Lawton, u vranë edhe tre njerëz tjerë, kurse u plagosën së paku 30 veta. Vrasjet qenë bërë si rezultat i gjuajtjeve artilerike që erdhën nga forcat ushtarake të Maqedonisë. Ato kanë gjuajtur nga një territor shtetëror (Maqedoni) në tjetrin (Kosovë) dhe një gjë e tillë është tërësisht kundër të gjitha ligjeve dhe rregullave të luftës. Gjuajtjet artilerike të forcave maqedone, të cilat rezultuan me fatalitet të lartë, janë edhe më joligjore pasi që ato për cak kishin popullsinë civile në një vend ku nuk kishte prezencë të forcave ushtarake kundërshtare”, shkruan Dauti. Sipas të gjitha kritereve, shtonë më tej ai, shohim se në këtë rast kemi të bëjmë me krime të luftës ndaj popullsisë civile. “Për këtë arsye, dikush në zinxhirin komandues të ushtrisë maqedonase duhet të ofroj llogari. Kanë kaluar 16 vite nga koha e kryerjes së krimit, por duhet patur parasysh që krimet e luftës nuk i nënshtrohen parimit të vjetërsisë”, thotë Dauti. Ndryshe, gjatë luftës së vitit 2001, ushtria maqedonase jo një herë, por disa herë kishte gjuajtur artileri të rëndë përtej kufirit – në Kosovë.