Daut Haradinaj, deputet nga radhët e AAK-së, vlerësoi se raportet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do të ndryshojnë.
Ai theksoi se taksa prej 100 përqind për produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina do të qëndrojë deri në njohjet reciproke.
“Si AAK e kemi bërë publike dhe të qartë se qeveria nuk duhet të tërhiqet nga taksa. Kemi bërë thirrje edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë që ta kuptojnë drejt vendosjen e taksës 100 përqind për produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Ne nuk po e sfidojmë Perëndimin”.
“Në asnjë variant nuk do të prishemi me Amerikën. Ne ndoshta jemi vonuar në ofrimin e argumenteve tek partneret tanë se pse është vendosur taksa. Të njëjtën gjë e kemi dëgjuar edhe për ushtrinë: ‘Na prishet me Amerikën’. Në anën tjetër, ne e krijuam ushtrinë”.
Deputeti i AAK-së në Info Magazine sqaroi arsyet e vendosjes së taksës, përderisa theksoi se janë pro vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.
“Serbia s’ka lënë gjë pa bërë kundër Kosovës. Nuk e ka respektuar asnjë marrëveshje të arritur në Bruksel. Për këtë arsye është vendosur taksa”.
“Veç po e shihni tash edhe për Ligjin për Trepçën ka filluar ta zbulojë si lajm të ri. Tani në këto rrethana po mundohet të paraqitet si viktimë duke e sjell këtë taksë si një kusht. Jemi pro dialogut, por ky duhet të jetë një mesazh edhe për Qeverinë e Serbisë, se nuk shkohet kështu deri në pafundësi”.
Haradinaj komentoi edhe takimin e krerëve shtetërorë në shtëpinë e presidentit Hashim Thaçi, me ç’rast tha se “fotografia do të ishte edhe më e fuqishme po të ishin edhe akterët politikë nga LDK, VV dhe PSD”.
Ai bëri thirrje për unitet dhe ekip sa më gjithëpërfshirës në mënyrë që të jenë më të suksesshëm.