Evis HALILI
Shkup, 8 nëntor – Përvjetori i 550 i vdekjes së Skënderbeut, 50 vjetori i demonstratave në Tetovë, 110 vjetori i Kongresit të Manastirit, 135 vjetori i lindjes së Hasan Prishtinës janë datat e vetme që lidhen me historinë dhe kulturën shqiptare të depozituara pranë Komisionit të Kulturës, si ngjarje që duhet të shënohen gjatë vitit të ardhshëm. Grupi i punës që do të merret me shqyrtimin e propozimeve për hartimin e Programit të datave jubilare për 2018 është formuar në seancën e të martës të Komisionit të Kulturës dhe gjatë këtij muaji prej tyre do të pritet që të dorëzojnë për miratim draft programin e datave jubilare. Edhe këtë vit bie në sy interesimi i vogël i institucioneve për të marrë pjesë në hartimin e këtij programi. Ftesës së Komisionit të kulturës drejtuar 127 institucioneve shtetërore, publike, lokale, shkencore e të tjera, 80 komunave dhe Qytetit të Shkupit, i janë përgjigjur një numër i vogël (vetëm 27 institucione), të cilët kanë dorëzuar në total 282 propozime. Nga pjesa shqiptare ka aplikuar vetëm Instituti i Trashëgimisë, me pesë propozime, të cilat janë edhe kërkesat e vetme që lidhen me shënimin e datave jubilare. Këtë vit kanë munguar edhe propozimet nga komunat, të cilat herë pas here kanë qenë aktive në shënimin e ndonjë përvjetori. “Afatet janë mbyllur dhe gjatë muajit nëntor grupi i punës që u formua sot do të duhet që të bëjë përzgjedhjen mes propozimeve që janë dërguar. Nga institucionet, komunat e shoqatat shqiptare merr pjesë vetëm ITSHKSH, ndërsa asgjë s’kemi nga komunat. Besojmë se kalendari do të duhet të jetë gati muajin tjetër”, thotë zëvendëskryetari i Komisionit të Kulturës, Rexhail Ismaili, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim. Propozimet e dërguara nga ITSHKSH lidhen me disa data të rëndësishme që përveç se në Maqedoni janë pjesë e shënimeve edhe në Shqipëri e Kosovë, si 550 vjetori i ndarjes nga jeta të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti (17 janar në Lezhë) , 110 vjetori i Kongresit të Manastirit dhe përcaktimi i alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe (14-22 nëntor), apo edhe data që lidhen me lindjen dhe vdekjen e Hasan Prishtinës, 80 vjetori i vdekjes dhe 35 vjetori i lindjes (lindi në Vushtri në vitin 1873 dhe vdiq në Selanik 13 gusht 1933). Demonstrata e vitit 1968 në Tetovë e qytete të tjera po ashtu janë pjesë e propozimeve. Këtë vit mbushen 50 vjet nga organizimi i tyre. Nuk dihet se me cilën datë është bërë propozimi, pasi ato nisën në muajin tetor e deri në dhjetor.
Se cilat nga këto data do të bëhen pjesë e Kalendarit të shënimeve shtetërore kushtuar datave që lidhen me personalitete të spikatura që kanë rëndësi të posaçme për kurimin dhe afirmimin e vlerave të trashëgimisë historike dhe kulturore dhe nëse do të plotësohet me propozime të tjera nga anëtarët e Komisioni do të dihet muajin e ardhshëm, kur grupi i punës të shqyrtojë propozimet dhe të japë vlerësimin. Komisioni i Kulturës në Parlament këtë vit e filloi me më shumë se një muaj vonesë punën për përgatitjen e kalendarit të datave jubilare. (koha.mk)