Hiç s’ka rëndësi se çdo thuhet në tekstin përfundimtar (ky artikull po shkruhet para publikimit të konkluzioneve të takimit të liderëve të BE-së) vendet e Ballkanit duhet të mendojnë hapur për strategji të re. Është e qartë se Evropa s’ka liderë evropianë, por veç politikanë të vendeve përkatëse e si rrjedhojë – strategjitë duhet të ribëhen
Nga Nazim RASHIDI
Shprehja e njohur rilindase se “për shqiptarët, (por që mund të interpretohet në kontekst të zhvillimeve edhe për Ballkanin), se dielli lind në perëndim” mund edhe të shpallet si “fake news”, sepse ata të lindjes menjëherë do të duan të korrigjojnë shprehjen. Normal që do thonë s’është e vërtetë, sepse faktikisht ashtu nuk është, por jo vetëm kaq. Kokat e kthyera prej vitesh nga Perëndimi dhe gjithë betejat dhe sfidat për të përqafuar Perëndimin si koncept, si vlerë por edhe si bashkësi, do thonë se kanë qenë mashtrim.
Do të thonë, se jeni budallenj, në fakt keni qenë me vite, sepse dielli asnjëherë s’ka lind në perëndim. Dhe më keq akoma, do thonë ju kanë mashtruar. Ju kanë bërë gjithë ato premtime dhe ju kanë kërkuar gjithë ato “kurbane” dhe sërish dielli nuk lindi në Perëndim.
Dhe siç e ka shkruar edhe vetë Presidenti Trump, në letrën drejtuar Presidentit Erdogan, “Dont be a fool”, “mos u bëni budallenj” do na thonë, Dielli dihet ku lind, ejani do na ftojnë madje edhe me joshje.
Dhe sërish do ndodhë përplasja Lindje – Perëndim, Perëndim a Lindje.
Perëndimi më, me gjithë liderët e tij, diplomatë që janë prezent këtu, por edhe vetë zyrtarët e lartë, të BE-së, të shteteve anëtare nuk e di si do kenë guximin të dalin para nesh.
Ok, nuk mërziten shumë, e shohim.
S’mund të na bindë më askush se mos hapja e negociatave vetëm edhe me dy shtetet, Maqedoninë dhe Shqipërinë, (Kosova ka situatë tjetër, por edhe ajo duhet përfshirë në këtë mes si dhe Bosnja dhe Hercegovina) se do shembë Evropën, BE-në apo dhe Macron-in.
Qesharake, sepse Mali i zi dhe Serbia kanë hapur negociatat tashmë.
Por nuk qesh askush këtu.
Dhe sriozisht. Se di si do dalë për shembull Ambasadori Zhbogar më në evente e ngjarje? Çfarë do thotë? Ai dhe gjithë të tjerët që s’kanë arritur të shpjegojnë skeptikët evropian gjithashtu kanë përgjegjësi. Sepse e dinë shumë mirë se çfarë premtohej si “karrotë” më vite.
Po normal do heshtë edhe ai, dhe të tjerët dhe do lënë të kuptohet se jeta nuk është e drejtë dhe ashtu si dhe vetë evropianët me terma e terminologji brukseliane do përpiqen të tejkalojnë momentin e papërshtatshëm i cili mund të përshkruhet me një fjalë: Zhgënjim.
“Mos i shuani yejt” ishte mesazhi që Kryeministri Zaev ua tha liderëve evropian, që assesi të merren vesh për datën. Dhe po kjo është ndjesia se edhe yjet edhe dielli evropian ka kthyer kurrizin.
Vendet tona s’janë idelale. Nëse i bëhet analizë teknike zhvillimit dhe reformave të ndërmarra nga vendet e Ballkanit ka edhe shumë për të përmirësuar.
Por këtu ishte e gjithë ideja e asaj date të shkretë. Se vendet me politikanët por edhe vetë njerëzit duhet të kishin atë presionin për të ndërmarrë gjithë reformat, që nga mendësia personale e secilit e deri tek ligjet.
Askush ndër vendet tona nuk ka iluzione se ne jemi gati për BE. Të gjithë e dinë se procesi do të zgjasë. Por tani procesi po ndërpritet me argumente që s’mbajnë.
Këtu vjen një moment i ri.
Madje hiç s’ka rëndësi se çdo thuhet në tekstin përfundimtar, (ky artikull po shkruhet para publikimit të konkluzioneve të takimit të liderëve të BE-së) vendet e Ballkanit duhet të mendojnë hapur për strategji të re.
Është e qartë se Evropa s’ka liderë evropianë, por veç politikanë të vendeve përkatëse e si rrjedhojë strategjitë duhet të ribëhen. Ndjesia e zhgënjimit është e tillë, si ajo e kurdëve ndaj SHBA-ve, që pa prituar i la vetë. Fati jonë është se ne s’jemi në luftë. Pikërisht ky moment duhet të sjellë një vizion të ri.
Fillimisht një bashkëpunim më të hapur mes vendeve të Ballkanit. Kjo jo si zëvendësim i BE-së, por si pasojë e paqaqrtësisë dhe vogëlsisë të marrë franceze. Sigurisht që rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut, (por edhe si rajonit) mbase nuk do sjellë më asnjë dallgë në anien e BE-së të diktuar nga Franca, po nga ana tjetër edhe aq me lehtësi nuk do ta marrë BE-ja situatën e re, për të vetmin fakt se vetë Franca dhe Macron thotë se kjo Maqedoni e vogël, po ia prish hesapet BE-së.
Shpjegimi i Macron me shtëpinë në hall, e cila ka nevojë për riparime prandaj nuk pranohen dot të ftuar shpjegon më së mirë mendësinë e Evropës së re. Ajo është se ne tjerët as që jemi e as që na sheh si pjesë e shtëpisë së përbashkët.
Kur ke shtëpinë me probleme, mbase ata që vinë, mund të ndihmojnë. Siç janë duke ndihmuar me qindra mijëra punëtorë nga Ballkani, e që bëjnë punët që snobët e Evropës refuzojnë ti mendojnë e ku më ti realizojnë. Qindra mijëra punëtor kontribuojnë në atë shtëpinë e përbashkët e Macronit dhe liderëve të tjerë.
Argumenti se do ketë shumë emigrantë nëse do ketë datë nuk mban, se data duhet të jepte shpresën që sa më pak emigrantë të ikin në shtëpinë e Macronit.
Por këto kot ti themi, e ti përsërisim. Evropa i di këto.
Tashmë dhe ne duhet të përballemi me realitetin, ai është se duhet për herë të ketë një plan “B”. Që mund të jetë në të njëjtat linja dhe prirje, i cili edhe përkundër korrentit të Lindjes sërish duhet të ndjekë lindjen e diellit në Perëndim, por mbase jo më, me të njëjtën anije të Macron-it.
Se di si do duket ky plan “b” nuk dihet, por frëngjisht s’do jetë i shkruar, ama, kjo është e qartë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)