Maqedonia pret që në Samitin e muajit maj në Zagreb ti caktohet datë për fillimin e bisedimeve me BE-në. Nga ana tjetër, njohës të çështjeve euro-integruese për gazetën KOHA thonë se gjasat janë të mëdha që edhe nga Zagrebi, Maqedonia të mbetet e befasuar. Sipas tyre Gjermani është ajo që do ta vulosë këtë proces
Destan JONUZI
Shkup, 4 janar – Bashkimi Evropian (BE) dërgoi sinjal se për rajonin nuk ka alternativë tjetër përveç euro-integrimit. Proceset duhet të vazhdojnë sepse ekziston mundësia për zhvillim të nacionalizmit, populizmit dhe radikalizmit. Liderët politik në vend janë optimistë se në Samitin e Zagrebit Maqedonia dhe Shqipëria do të marrin datë për fillimin e bisedimeve, shkruan gazeta KOHA.
Në anën tjetër, njohësit e proceseve euro-integruese shprehen skeptik për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë me BE-në për anëtarësim. Sipas tyre edhe nga Zagrebi mund të marrim lajme zhgënjyese dhe befasuese. Nënkryetari i Këshillit të Ambasadorëve të Maqedonisë, Muhamed Halili thotë se në Samitin e Zagrebit nuk do të caktohet datë për Maqedoninë dhe Shqipërinë për arsye se ky është një proces i gjatë.
“Nuk konsiderojë se në Samitin e Zagrebit, do të caktohet datë, për arsye se është një proces i cili do zgjatë më tepër. Nëpër koluare thuhet se po që se do të bëhen ndryshime, gjegjësisht reforma në fillimin e procesit të ndryshimeve në BE mundet që në Samitin e Zagrebit të bëhet diçka me ftesën për Maqedoninë dhe Shqipërinë, por kjo nuk është e sigurt, madje nuk besojë se do të bëhet”, deklaroi për KOHA, Muhamed Halili, ish-diplomat. Sipas tij, datë për fillimin e bisedimeve me BE-në, Maqedonisë do ti caktohet në kryesimin e radhës të Gjermanisë. “Proceset e mëdha si është ky proces i pengimit të çeljes së negociatave nuk mund ti bëjnë shtete që nuk kanë fuqi vendimmarrje dhe zakonisht, shtetet e mëdha në këtë rast është Gjermani dhe Franca merren vesh që të bëjnë lëshime njëri-tjetrit dhe me siguri që Gjermania do ti bëjë lëshim Francës në reforma, ndërsa Franca sikundër shpërblim do ti bëjë lëshim në çeljen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Jam i bindur se në Samitin e Zagrebit Maqedonia nuk do të merr datë për fillimin e bisedimeve”, shprehet Halili.
Ndërkohë, Ismet Ramadani nga Këshilli Euro Atlantik i Maqedonisë vlerëson se në Samitin e Zagrebit mes liderëve evropian mund të ketë edhe debat i cili mund të jetë befasues për Maqedoninë, por megjithatë shton ai, nuk duhet të “fetishizohet” shumë puna e caktimit të datës në Zagreb. “Nuk duhet të fetishizojmë shumë lidhur me marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në, për shkak se gjithçka është e sigurt për datën. Në Samitin e Zagrebit mund të ketë debat i cili mund të jetë edhe jo i këndshëm dhe mund të reflektohet edhe në zgjerimin e BE-së, për shkak të një kategorizimi që po tentohet të bëhet, në shtete të kategorisë së parë të dytë dhe të tretë”, deklaroi për KOHA, Ramadani nga Këshilli Euro Atlantik i Maqedonisë. Por sido që të jetë, shprehet ai, varianti më optimist është se megjithatë në Samitin e Zagrebit duhet të caktohet datë për Maqedoninë dhe Shqipërinë, sepse në aspektin gjeopolitik-strategjik BE-ja do të humb për shkak të politikës mjaftë agresive të Rusisë dhe Putinit. “Mund të ndodh që të paraqiten probleme edhe brenda për brenda BE-së, sa i përket influencës së politikës ruse. Kjo do ta detyron BE-në që në një mënyrë të jetë e kujdesshme sa i përket zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”, nënvizon Ramadani.
Ndryshe, në Samitin e BE-së në Zagreb që do të mbahet në muajin maj të këtij viti, përveç pritjeve të Maqedonisë dhe Shqipërisë për datën e fillimit të bisedimeve, liderët evropian do të diskutojnë edhe për aplikimin e metodologjisë së re franceze për zgjerim, në rast se ajo miratohet deri para mbajtjes së Samitit. (koha.mk)