Ish-ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, Ervan Fuere, në një intervistë ekskluzive për gazetën KOHA nga Samiti i gjashtë i Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Poznanj të Polonisë, ka folur për datën e fillimit të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-në, si dhe për ndarjen e mundshme të Shqipërisë nga pakoja e Maqedonisë në këtë proces. Ai po ashtu në intervistë thotë se opozita maqedonase shumë ngadalë po reformohet, ndërsa paralajmërimi se data për negociata do të ndahet në tetor do të jetë motiv shtesë për Qeverinë Zaev që të vazhdojë me reformat
Nga i dërguari ynë në Poznanj, Destan JONUZI
KOHA: Ambasador, pse Maqedonia e Veriut nuk mori datë për fillimin e bisedimeve me BE-në në qershor?
FUERE: Sinqerisht jam tepër i zhgënjyer që Komisioni Evropian nuk i dha datë Maqedonisë së Veriut dhe e shtyu atë për në tetor. Megjithatë, kjo është mirë për sa kohë procesi është i hapur.
KOHA: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet së bashku të marrin datë, apo procesi i inkuadrimit të tyre në BE duhet ndarë?
FUERE: E kuptoj motivin i cili qëndron pas BE-së që negociatat të mbesin të hapura për të dyja shtetet. Problemi është se këto gjashtë muajit e fundit kemi parë degradim të politikës në Shqipëri që ka ndikim të madh tek vendet anëtare të BE-së. Çështja është se Shqipëria, a është me të vërtet e gatshme për në BE. Në këto rrethana, Këshilli i Evropës ka dilema që me Maqedoninë e Veriut vërtet ti fillojë bisedimet, kurse Shqipërinë ta ndihmojnëë që ti zgjidhë problemet e veta dhe ti je kohë, atëherë kur të vlerësohet se ka përparim të rishikohet çështja e saj.
KOHA: Ku është opozita në këtë mes?
FUERE: Në Shqipëri, problemi është se BE ka abstenuar atje si në proceset politike brenda Parlamentit ashtu edhe në zgjedhje . BE duhet të jetë aty, të përpiqet që pushteti dhe opozita të dialogojnë, të takohen dhe ti detyrojë që më të vërtet të krijohet klimë kompromisi mes opozitës dhe Qeverisë, sepse përndryshe nuk mund të ketë zgjidhje të problemit.
Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, problemi më i madh i opozitës është që ata nuk e reformojnë vetveten, por qëndrojnë si një parti e mohuar, ndërsa populli ka nevojë për një opozitë konstruktive. VMRO-DPMNE ende nuk ka demonstruar se ka një kapacitet të tillë për ta reformuar vetveten që të jetë një opozitë konstruktive, pasi çelësi kyç për suksesin e Maqedonisë së Veriut është që të gjithë partitë të bashkëpunojnë mes veti për të arritur synimin që kanë anëtarësimin në BE.
KOHA: A mendoni se me të vërtetë Maqedonia e Veriut do të marrë datë për fillimin e bisedimeve me BE-në në tetor?
FUERE: BE duhet që të respektojë vendimin e dhënë dhe të fillojë bisedimet, kjo do ti jap Qeverisë një motivim që të vazhdojë me procesin e përparimit në rrugëtimin e saj për t’u bërë anëtare e BE-së.
KOHA: Nëse nuk marrim datë edhe në tetor, çfarë mendoni se mund të ndodh?
FUERE: Mendoj se BE do ta humbë kredibilitetin e saj, kjo është shumë e qartë… Shpresoj dhe kam besim se do ta mbajnë fjalën e dhënë.