Një numër i madh i të rinjve të cilët kanë përfunduar shkollimet e mesme ose të larta por punojnë si kamerier, këtë verë paralajmërojnë angazhimet e tyre në qytetet turistike bregdetare shqiptare por edhe në Kroaci dhe Greqi
Vjollca SADIKU
Dibër, 9 qershor – Gjatë sezonit veror në Dibër tradicionalisht organizohet një numër i madh i dasmave. Prezenca e mërgimtarëve ndikon dukshëm në këtë përcaktim që familjet gëzimet familjare t’i realizojnë së bashku me gjakun e tyre që gjendet jashtë vendit. Por, në prag të sezonit veror tek disa nga pronarët të objekteve ku mbahen dasmat me të drejtë paraqitet një shqetësim për mungesën e kamerierëve. Një numër i madh i të rinjve të cilët kanë përfunduar shkollimet e mesme ose të larta por punojnë si kamerier, këtë verë paralajmërojnë angazhimet e tyre në qytetet turistike bregdetare shqiptare por edhe në Kroaci dhe Greqi. Në qytetin e Dibrës në më shumë se 10 objekte – restorante ku mbahen dasmat dhe ceremonitë e tjera familjare, këtë verë paraqitet problemi i mungesës së kamerierëve por edhe kuzhinierëve. Disa nga pronarët theksojnë se gjatë sezonit veror përveç kamerierëve dhe kuzhinierëve të angazhuar gjatë vitit, kuadri përforcohet edhe me të rinj sidomos me kamerier. Dasmat dhe gëzimet e tjera familjare kërkojnë një numër më të madh të e personelit në restorant. Ka një interes të theksuar që këta të rinj në një numër të caktuar janë angazhuar nëpër restorante të ndryshe në Durrës, Vlorë, Velipojë etj. Shqetësimi është i madh edhe pse atyre u ofrohen mëditje më të majme se sa viteve të tjera.
Këto ditë biseduam edhe me disa të rinj dibran të cilët për shkak të papunësisë, edhe pse kanë përfunduar shkollën e mesme por disa edhe fakultet, gjatë sezonit veror angazhohen në punët sezonale në objektet shërbyese. Afrim. M. ka përfunduar para disa viteve gjimnazin. Ai thotë se punësim është rëndë të gjesh në Dibër, dhe gjatë sezonit veror afro tre muaj ai është i angazhuar në restorantet që realizojnë dasma në Dibër. “Këtë verë vendosa në disa kontakte që pata me disa pronarë të objekteve shërbyese në Durrës të punoj si kamerier atje. Paga është shumë më e mirë se sa pagat që ofrojnë pronarët në Dibër dhe njëkohësisht do të kem mundësinë të shijoj edhe ujin të detit të Adriatikut”, thotë i riu 34 vjeçar dhe shton se së bashku me të do të jenë edhe dy shokët e tij. Në një hotel në Vlorë është i angazhuar edhe Samir.V nga Dibra. Ai thotë se dy vitet e fundit ka punuar si kamerier gjatë sezonit veror në restorante dasmash në Dibër. Por, siç thotë këtë verë është vendosur që të angazhohet dhe të punojë në një hotel në Vlorë.
“Me pronarin e hotelit në lokalitetin turistik ‘Uji i ftohët’ në Vlorë jam takuar gjatë verës së kaluar kur atje isha në pushim me familjen time. Oferta për të punuar në Vlorë është e mirë dhe vendosa që nga muaji maj të udhëtoj për në Vlorë ku jam i angazhuar për 3 muaj”, thotë i riu 27 vjeçar nga Dibra. Por numri i të rinjve të cilët janë dhe pritet të angazhohen si kamerier në bregdetin shqiptar është në rritje për çdo ditë. Pagat më të mira se sa në Dibër por edhe klima verore dhe kushtet verore që ofron bregdeti shqiptar i josh të rinjtë dibran që këtë verë të angazhohen me punë në Shqipëri. Ka raste kur të rinj nga qyteti i Dibrës janë të angazhuar me punë në hotele në Kroaci dhe Mal të Zi. Një situatë e këtillë dukshëm ka ulur numrin e të rinjve të cilët janë të interesuar të angazhohen si kamerier për përfitime financiare në objektet shërbyese në Dibër. Aktualisht në Dibër për një mbrëmje në dasmë një kamerier paguhet afro 30 euro, kurse sipas të rinjve të cilët biseduam në kapacitete hotelerike në bregdetin shqiptar për një natë fitohen deri në 50 euro. Normalisht, duke marrë parasysh përfitimet më të majme, të rinjtë dibran që merren për shkaqe materiale edhe me profesionin e kamerierit përcaktohen për ofertat e reja që vijnë nga biznesmenët që kanë objektet turistike në bregdetin shqiptar. (koha.mk)