Omer XHAFERI
Shkup, 4 gusht – Festat e ndryshme dhe gazmendet familjare, përveç muzikës së bujshme, në Shkup dhe rrethinë vazhdojnë të shoqërohen edhe me krisma nga armë zjarri. Ky fenomen negativ ndonëse se shpeshherë lidhet me traditën e kamotshme të nisjes dhe mbarimit të dasmave, për shumë qytetarë të Çairit dhe më gjerë paraqet shkelje të rendit dhe qetësisë publike, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, reagimet e banorëve të kësaj pjesë të Shkupit lidhen edhe me çështjen e sigurisë dhe frikës se vallë – ndonjë nga ato plumba që krisen mund të kenë pasoja fatale në jetë njerëzish. Kësisoj, banorët e rrugës “393” dhe “Saraevska”, viteve të fundit – sidomos gjatë periudhës së verës janë të detyruar t’i dëgjojnë krismat sporadike të armëve të zjarrit, të cilët në të shumtën e rasteve vijnë nga dasmorët që ahengjet e tyre i organizojnë në ndonjërin prej mini-restoranteve në këtë pjesë. Qytetarët, të cilët jetojnë përreth këtyre lokaleve, thonë se në vazhdimësi janë ankuar për mënyrën se si festojnë dasmorët, megjithatë shqetësimin dhe brengat e tyre askush deri më sot nuk i ka marrë parasysh. Policia e Shkupit, duke i komentuar këto zhvillime, thotë se festimi me armë zjarri nuk është forma e duhur e shprehjes së gëzimit dhe për këtë arsye apelojnë që qytetarët t’i përmbahen krismave gjatë festave familjare, përndryshe ato thonë se do të shqiptohen sanksione komfor normave ligjore. “Ne kryesisht veprojmë në bazë të denoncimeve dhe paraqitjeve të rasteve të ndryshme, qoftë në numrin 192 apo në stacionin policor më të afërt. Gjatë këtij viti në kuadër të ministrisë tonë janë regjistruar tetë raste të plumbave qorr. Prej tyre pesë raste kanë ndodhur në Shkupit, dhe tre rastet tjera janë regjistruar në Kumanovë, Ohër dhe Tetovë. Si pasojë e këtyre të shtënave lëndime ka pasur në dy raste, gjegjësisht në Shkup dhe Kumanovë”, thonë nga Sektori i Punëve të Brendshme Shkup. Ndërkohë, sipas të dhënave të Ministrisë për Punë të Brendshme, gjatë vitit të kaluar në të gjithë territorin e Maqedonisë janë regjistruar 46 raste të plumbave qorr, me çka në disa prej tyre ka pasur edhe qytetar të lënduar. Pavarësisht lajmeve të përditshme se qytetarët e rëndomtë zakonisht janë ajo kategori e popullatës që pësojnë më tepër nga plumbat qorr, brendësitë e lagjeve shqiptare në Shkup dhe rrethinë vazhdojnë t’i dëgjojnë krismat nga armate zjarrit si në orët e pasdites ashtu edhe në ato të mbrëmjes. Ndryshe, gjatë dhjetë ditëve nëpunësit e MPB-së kanë regjistruar disa raste si pasojë e lëndimeve nga plumbat qorr, respektivisht ngjarja më tragjike ndodhi në rajonin e Likovës, ku një 19 vjeçar shtetas i Gjermanisë, pas plagëve të marr në afërsi të gjoksi ndërroi jetë rrugës për në spitalin e Kumanovës. Ndërkohë, për tu veçuar është lëndimi i një grua nga rrethina e Tetovës, e cila gjatë punëve të përditshme në arrë në fshatin Saraqinë papritmas ka ndjerë dhimbje në kraharorin e djathtë. Fatmirësisht plumbi qorr i cili ende është objekt studime se nga ka ardhur nuk ka pasur pasoja fatale në jetën e këtij personi. (koha.mk)