Dhëndri nga Shkupi që u martua në tempullin mesjetar këto ditë, më së paku e kishte me Kosovën. Mesazhi i tij ishte për vetë vendin prej kah vjen, por edhe me gjithë rajonin nga pak, nga Shkupi, Beogradi, Podgorica, Athina, e deri te Moska e Stambolli…
Nga Gjeç PUKA
Ardhja e kryetarit të njërës nga komunat kryesore të kryeqytetit të Maqedonisë Veriore në Kosovë për t’u kurorëzuar në manastirin ortodoks të Graçanicës, ka tërhequr si lajm reagime e kuptime të ndryshme gjithandej. Të përzgjedhurit e Kishës së Millutinit, “që na bashkon të gjithë këndej e andej”, që nga zyrtari serb i kryeqytetit të Maqedonisë Veriore e deri te nusja e tij ortodokse nga Mali Zi, siç shpjegohet nga familjarët e kumbarët në ceremoninë plot insignia serbo-ortodokse e me prezencë mediale nga rajoni që nga Beogradi e Shkupi, duhet parë me kujdes para se të shfaqet çfarëdo gjykimi a emocioni.
Në fakt, i tërë manifestimi është bërë me shumë kujdes e porosi turlifare. Jo vetëm për Kosovën. Së pari, kryetari i Komunës Qendër nga Shkupi, serbi Bogdanoviq, me një serbishte të rënduar me theks maqedonas, deklaron për mediat në Beograd: “Flamurin serb e sollëm nga Shkupi në Graçanicë, nga një pjesë në tjetrën të Serbisë së vjetër. Nga një ngrehinë e Millutinit, te tjetra”.
Pasojnë komentet si: “Ne në Maqedoni nuk kemi të drejtë që në Kishën kanonike të kemi martesa në këso tempuj dhe në tempuj të mbretit Millutin. Në një mënyrë jemi të detyruar që në vend të tempujve të mbretit Millutin në Maqedoni, që të vijmë këtu në Graçanicë”. Ndërsa e përzgjedhura, nusja Jelena Braunoviq, që është mësuese në shkollën “Kiro Glligorov” në komunën që udhëheq tashmë burri i saj, në vend të deklaratës në fustanin e bardhë nusëror para portës së manastirit të Graçanicës demonstrativisht këndon: “…Oj Kosovë, e dashura Kosovë, vendi i kalorësve të famshëm, Llazarit e Milloshit”! Në një shikim të shpejtë do parë disa shtresime të gjithë këtij demonstrimi martesor. Kosova, me manastirin e saj mesjetar është përzgjedhur që të përçojë shumë mesazhe:
- Maqedonia Veriore (së cilës zyrtari i lartë nga kryeqyteti në media i referohet vetëm si “Maqedonia”, duke refuzuar Marrëveshjen e Prespës me Greqinë) nuk po u garantuaka të drejta besimtarëve ortodoksë serbë që ata lirshëm të demonstrojnë identitetin e tyre fetar e nacional, saqë ata detyrohen të shkojnë në një vend tjetër fqinj.
- Shteti fqinj, që njihet nga vendi ku Bogdanoviq shërben si zyrtar i lartë, njihet zyrtarisht, ndërsa nga ai referohet me “Kosmet”. Për më tepër edhe “Kosmet”, edhe “Maqedonia” për kryetarin e Komunës së kryeqytetit të Maqedonisë Veriore është “Stara Srbija”, ndërsa për dasmorët është vend ku mblidhen nga të gjitha anët serbët këndej e andej” (Malit të Zi, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë Veriore…). Maqedonia nuk është po ashtu Maqedonia Veriore, që mohon Marrëveshjen e Prespës me Athinën. Por, rrjedhimisht, nga ky ceremonial martesor (politik) del që:
- mu në Kosovë, serbët, jo vetëm ata vendorë, por edhe “këndej e andej” paskan një vendtakim kulti krejt të lirshëm për asamblim, vendtakim kulti ku lirshëm i praktikojnë të drejtat e tyre njerëzore, fetare e kombëtare! Madje, në Kosovë po mundkan t’i realizojnë këto të drejta që i pretendojnë si të mohuara diku tjetër.
- Kësaj të drejte do shtuar edhe të drejtën e lëvizjes së lirë e të qarkullimit të papenguar (madje, edhe kur bëhet një provokim e demonstrim me mesazhe politike jo vetëm për nikoqirin, por edhe për fqinjësinë, përfshirë edhe rastin në Koshare).
- Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë, në këtë mënyrë, më së miri e demonstrativisht tregohet se çfarë autonomie të lartë ka, saqë mund të pranojë edhe qytetarë e madje zyrtarë të shteteve të tjera që të kryejnë ceremonitë fetare të papenguar dhe me karakter festiv, medial, e dasma publike. Por, marrë e shikuar edhe nga fakti që në dasmë merr pjesë edhe vëllai i nuses nga Mali Zi, që tregon se këtu në Graçanicë kanë ardhur tradicionalisht, kumbarët që me shajkaqa e me flamur që nga Shkupi kanë ardhur në Kosovë, dhe së fundmi që mysafir special ka edhe vetë Jovan Vranishkovskin, e tëra merr edhe konotacione interesante që vlejnë të vlerësohen me kujdes.
Vranishkovski, tashmë persona non grata, ka bërë bujë si peshkop i shpallur i Kishës Ortodokse Serbe në Maqedoni, i cili ka qenë person aktual e kontrovers me decenie të tërë dikur në Maqedoni, i cili është ndaluar të ushtrojë funksionin e tij si pjesëtar i një kishe të papranuar në territorin e këtij vendi, është arrestuar dhe ka qenë objekt ndërhyrjesh të vetë Serbisë e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, derisa është liruar, por edhe dëbuar nga vendi. Vranishkovski është konsideruar provokimi më i madh i relacioneve serbo-maqedonase dhe ai ka peshuar gjatë në kontestin e hapur në mes të dyja vendeve, që kanë të bëjnë me Kishën Ortodokse maqedonase që konsiderohet jokanonike nga Kisha Ortodokse serbe.
Kisha Ortodokse maqedonase e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, është konsideruar nga maqedonasit si pjesë përfundimtare e identitetit të tyre nacional e kulturor gjatë komunizmit, që është kontestuar si jo e drejtë, e jokanonike nga vetë Kisha Ortodokse serbe që ka pasur aty juridiksion dhe si pasojë ajo është e papranuar nga Patrikana në Stamboll dhe kishat simotra ortodokse. Kontestin e gjatë është munduar ta zbërthejë disa herë njëri e tjetri, deri te Deklarata e Nishit, që njëherë është pranuar e pastaj hedhur poshtë. Disa vite më parë, kryetari Ivanov nga radhët e VMRO-së ka thirrur në ndihmë ndërmjetësin rus, peshkopin e njohur Alfejev, që konsiderohet si kryediplomati i Kishës Ruse, që të ndërmjetësojë në mes të dy kishave dhe ai e kishte filluar punën e besuar me plot investim personal e diplomatik.
Por, pas ndryshimeve të mëdha me “revolucionin e laramanët” që solli përmbysjen e pushtetit të VMRO-së dhe ardhjen e Zaevit në pushtet (pjesë e të cilit është dhe vetë dhëndri i Graçanicës, Bogdanoviq), gjërat ndryshuan. Zaevi bëri një lëvizje të befasishme, ai bëri që Kisha Bullgare të konsiderohet e pranohet si “Kishë Amë” e Kishës Ortodokse maqedonase dhe që nga aty të përpiqet të zgjidhej telashi i interpretimit shekullor se kush e ka primatin mbi origjinën e Kishës Ortodokse maqedonase nga Patrikana e Ohrit – Kisha serbe që kishte suprematin aktual, apo ajo bullgare mesjetare më e vjetër? Ndonëse, tashmë negociata e hapur (për hyrje në BE) Shkup-Sofje mbi identitetin vetëm se do ta bëjë edhe më peng këtë fakt koklavitës. Së fundmi, vetë mitropoliti Hilarion, kryesuesi i Departamentit për marrëdhënie të jashtme e kishtare nga Patrikati i Moskës ka sulmuar idenë që Kisha maqedonase të njihet nga Patriarkati i Konstantinopojës, duke e shfrytëzuar këtë për të goditur edhe aktin e njohjes së Kishës ukrainase ortodokse nga Konstantinopoja. “Shpresojmë që ajo që ndodhi në Ukrainë, të mos ndodhë kurrë në Maqedoni”, ka deklaruar Hilarion. Kjo deklaratë vjen pas përpjekjeve të intensifikuara të diplomacisë jopublike nga Shkupi për të hapur derën në Konstantinopojë.
Për më tepër, çështja e betejës për primat në mes të Konstantinopojës e Moskës është një betejë e vjetër, që mori më tepër hov me fuqizimin e Rusisë së Putinit dhe njeriut të parë të Kishës atje, Kirili. Kjo ndarje u demonstrua edhe në Samitin e Kretës vite më parë, kur kishat ortodokse u ndanë në ato që morën e nuk morën pjesë aty, duke reflektuar një ndarje serioze për primat gjithë-ortodoks. Kjo ngjalli një debat të ashpër edhe brenda vetë Kishës Ortodokse serbe e asaj bullgare. Në fakt, pas asaj që po ndodh në Mal të Zi, e tëra i jep martesës në Graçanicë edhe më shumë vlerë shpjegimesh e kuptimesh. Tekefundit, nusja është nga Mali i Zi dhe ajo me veshje malazeze martohet në Graçanicë, dhe këndon këngë për mitin e Kosovës.
Mu në Mal të Zi, Kisha Ortodokse serbe ka demonstruar së fundmi fuqinë enorme të saj, duke treguar që është faktori kyç politik në një vend që nuk quhet Serbi, por ka ortodoksë e serbë në të. Me këtë, Kisha serbe ka treguar se dëshiron të mbetet piedemont e institucion gjithëserb përtej kufijve të Serbisë. Në Maqedoni, martesa e kryebashkiakut është epiqendra e temës. Një zyrtar i kryeministrit Zaev, që deri dje ka sulmuar nacionalistët e VMRO-së, e që po mundohet të bëjë zyrtarizimin e kishës maqedonase nga dera e madhe e Konstantinopojës, do të ketë telashe të shpjegojë para opinionit e ithtarëve të tij aktin e zyrtarit e aleatit të tij politik, Bogdanoviq. Për më tepër, nëse mund të nënvizohet: Ngjarja në Graçanicë më së paku ka të bëjë (vetëm) me Kosovën, edhe pse ajo është vetë skena e përzgjedhur për të demonstruar një teatër të këtillë fetaro-politik. Për më tepër, Kosova me këtë akt dhe me mençurinë e gjakftohtësinë e saj ka demonstruar se është e hapur dhe se problemet nuk burojnë nga ajo. E aq më që ka mungesë të lirisë fetare apo të lëvizjes, apo të praktikimit të fesë. Shtuar kësaj edhe aktin provokativ të priftit serb që ka përkujtuar viktimat e Koshares, duke hequr flamurin shqiptar në kufirin Kosovë-Shqipëri dhe duke mbajtur ritin fetar për ushtarët serbë (që në Kosovë kanë kryer krime të tmerrshme dhe kanë luftuar kundër NATO-s), kësaj i shton edhe më shumë fakte. Fakte këto që mund t’i shërbejnë mjaftueshëm raportit më të ri të UNMIK-ut në Kosovë që para Këshillit të Sigurimit, që këtë herë udhëhiqet nga vetë Rusia, që të ketë argumente të demonstrojë sa larg ka shkuar Kosova me të drejtat e saj. Dhëndri nga Shkupi, që u martua në tempullin mesjetar këto ditë, më së paku e kishte me Kosovën. Mesazhi i tij ishte për vetë vendin prej kah vjen, por edhe me gjithë rajonin nga pak, nga Shkupi, Beogradi, Podgorica, Athina, e deri te Moska e Stambolli. (koha.net)