(Parathënia e librit “Dashuri në kohën e Feisbukut” të A.Farizit, botuar nga shtëpia e librit “Syth”, Tetovë, 2019)
Nga Vjollcë BERISHA
Dashuri në kohën e feisbukut është titulli tërheqës i librit të Arlind Farizit, i cili vjen në duart e lexuesit me shkëlqimin e veçantë që rëndom e kanë librat lehtë të komunikueshëm me publikun. Ata libra që nuk i zë dot një lloj letrar, që vështirë të paketohen me kriteret vlerësuese të një teorie të letërsisë. Ata enden sa nga proza poetike, drejt një skice letrare, sa nga tregimi i shkurtër, drejt një parabole tërheqëse. Po në fund të fundit, është pikërisht ajo ndjenja e mbërthimit që ia bën lexuesit një libër i këtillë, ajo që e detyron të mos rendë pas kërkimit të zhanrit, por të thellohet në përjetimin estetik që e siguron me shumicë ky tekst.
FJALA KOHË BASHKON FARIZIN ME MARKEZIN
Ndonëse me titullin e zgjedhur tërheq një paralele të madhe me njërën nga veprat më të njohura të letërsisë botërore, ky libër s’ka pothuajse asgjë që të çon te vepra e Markezit, përveç dashurisë, e cila vështërë të merret për pikëprerje kur dihet se ç’temë universale paraqet ajo dhe ç’gjeneruese supreme është e përqindjes më të madhe të temave që krijohen në letërsinë e cilitdo komb. Nuk është zhanri, as mënyra e të rrëfyerit, as përsonazhet, as gatimi i hapësirës e i kohës ajo që i lidh njëfarësoj këto dy vepra, por është diçka tjetër.
Pika e rëndesës te kjo paralele s’do mend është fjala kohë. Strumbullari semantik e metaforik te ndërtimi i gjetur i saj është mu fjala kohë. Nëse te Markezi është një dashuri që kërkon ta zërë fillin e këputur kaherë, te Arlind Farizi ky fill është i pagjetshëm, është eterik, i përket një epoke tjetër që regjistrohet diku sateliteve të botës, e mbi të cilën veprojnë ligje të tjera për t’i mbajtur e për t’i shuar fijet.
Vetëm koha është paraleja e drejtë që mund t’u bëhet këtyre dy veprave të papërqasshme. Nëse njëra nga kryeveprat e botës i referohet anash-anash kohës së kolerës, Fermina Dasa e Arlindit nuk ka as emër. Herë të bëhet se ajo është një qenie që pjesëtohet në të gjitha dashuritë e kohës moderne, kohës së internetit, kohës kur edhe puthjet dhe ledhatimet mund të bëhen pa prekje, pa pasur si ndrmjetësues lëndor bojën e letrës, të paktën, sikurse ndodhte dikur në letërkëmbimet e dashurive të mëdha. Fermina Dasa e Arlindit është ajo gruaja që banon në shtëpinë me giga, me qindra dhoma e dritare, të mobiluar me një sërë ikonash-klishe që e kanë rrudhur dashurinë romantike në një copëz ekran celulari, në ca shkronja të shtypura me ngut, në ca mundësi bllokimi, në ca fshirje profilesh më të rënda se se fshirja nga faqja e dheut.
Është koha e internetit, e vërshimit të rrjeteve sociale e gjithfarë marifetesh që për qëllim kanë afrimin e njerëzve, komunikimin më të të thjeshtë e më të lehtë ndërmjet tyre, por që ndërkaq edhe zemërimet e ndarjet i bën më të lehta, më të paprashikushme dhe më të pabazuara. As fjalët e zakonshme të dashurisë: pritje, mall, ndarje, hidhërim, vuajtje nuk janë më ato të dikurshmet, kanë fytyra të reja që u ndrijnë nga vezullimi i ekraneve, nga ngutja për t’i thënë ca gjëra, nga gabimet ortografike, fjalët e mezilexueshme prej euforisë. Arlind Farizi te kjo vepër i rreket mu këtij shndërrimi të madh, kësaj kthese që përjeton njeriu në epokën e digjitalizimit të jetës, makthit të tij nga rënia e baterisë së celularit, heshtjes së tij, mbylljes në vetvete, tavolinave të vuvta ku gjithkush nga të pranishmit merret me botën e vet elektronike, me miqtë e vet virtualë, dhomave të vuvta të shtëpive që dikur gëlonin nga zërat e fëmijëve, nga të qeshurat e zënkat midis anëtarëve të familjes në kohën kur dëgjoheshin me zë të lartë lajmet e orës nëntëmbëdhjetë, kur gazeta vinte te dera dhe kishte pushtetin e barabartë në shtëpi me fronin e babës në tryezën e kuzhinës…
Tërë këto paralele tërhiqen në mënyrë të padukshme në prozën e shkurtër të Dashurisë në kohën e feisbukut, jo për të vajtuar një epokë të perënduar, por për të hedhur sa më shumë dritë në këtë të rejën që po depërton me shpejtësi vetëtime dhe, si zana e përrallës, po shndërron gjithçka në një ngut, në një pasiguri, në një kështjellë prej rëre që mund ta rrafshojnë edhe erërat më të lehta.
Tek i lexon këto proza, e ndjen se ky është tregimi i së ardhmes: paksa i amullt, paksa i shpejtë, mbërthyes, që s’ka kohë të shtrohet në rrëfime të gjata, përshkrime realiste, as kur bëhet fjalë për ndjenjën më të lartë e më fisnike të njeriut: dashurinë. Edhe vepra është konceptuar asisoj që ta mbjellë te receptuesi ngutjen për të thënë, për të shijuar e për ta mbajtur gjatë në mend, mu si koha në të cilën jetojmë, mu si koha në të cilën rrekemi t’i shtrijmë dashuritë tona.
Një lexuesi të vëmendshëm nuk i shpëton pa e vënë re ironia ndërtekstuale që i përshkon një nga një parabolat e këtij libri. Autori, tek flet për mënyrën e dashurimit, të lidhjes së miqësisë, kontaktit dhe shkëputjeve të hovshme prej valësh magnetike, të bëhet se ta shkel syrin duke thënë jo pa ironi: ja kështu është katandisur dashuria, ajo e shtrenjta e mezithëna, e druajtura, ajo kryemuzë e sa e sa veprave të artit…
Edhe atij që ia ka ënda të mos ndalojë te kjo ironi e fshehtë që autori ia bën kohës së internetit dhe jetës në të, i pëlqen të rendë nga proza në prozë ku hapen para tij përvoja që s’i ka të huaja, mëkate të shumëfishta (që për fajtor kanë gishtin e madh që shtyp tastet e ekranit), biseda që i njeh mirë e ndonjë personazh i njohur që është po aq i etertë sa personazhi grua që del në këtë vepër të Arlind Farizit.
Ndonëse vetë autori i quan tregim krijimet e këtij libri, është lehtësisht e kuptueshme që e di se ato kanë pak nga karakteristikat e tregimit si lloj letrar. Por, thua vallë me këtë ai e hap një parantezë a një mundësi leximi se në këto kondita edhe zhanret letrare po shkojnë drejt tkurrjes a drejt një kondensimi estetik për ta dhënë thelbin e për të qenë në hap me kohën në të cilën jetojmë, me kohën e internetit, të cilën autori ka zgjedhur ta quajë koha e feisbukut, si metaforë e të gjitha rrjeteve sociale, e të të gjitha faqeve digjitale e programeve, të tashme e të ardhme, që të mbërthejnë në kurthin e tyre të domosdoshëm të ditëve tona.
SI DASHURON PERSONAZHI I FEISBUKUT?
Tregimet e Arlind Farizit nuk kanë personazhe lehtë të përfytyrueshme, si pasojë e mungesës së përshkrimit të mirëfilltë. Ai nuk provon ta ndërtojë personazhin në imagjinatën e lexuesit, atij i intereson transformimi që ka pësuar ky personazh i kohës së feisbukut, i intereson se si ndjen ai, si mërzitet, si zemërohet, si vuan, për çfarë shqetësohet dhe, më kryesorja, si dashuron. Personazhet e këtij libri nuk kanë as emra (disa legjitimohen duke thënë se koha i ka shndëruar në përemra vetorë) e disa nuk kanë fare, aq sa duket që autori s’e ka çarë kokën t’i pagëzojë. Fermina Dasa e Arlind Farizit është një grua eterike, pa emër, një grua përmbledhëse e të gjitha grave të brezit të saj. Të atyre grave që kanë krijuar një jetë alternative për veten, madje edhe një vete alternative. Fermina Dasa e Arlindit ngutet t’i shijojë të gjitha ndjenjat me shpejtësinë e mesazhit telefonik, ajo nuk ka kohë t’i dhurojë as doktorit, që e ka për bashkëshort, e as Florentino Arizës, një dashuri të përjetshme, një pritje, jo gjysmëshekullore si ajo e Ferminës markeziane, por as sa pesë-gjashtë mesazhe të pakthyera.
Personazhi mashkull zakonisht është i mbështjellë me narratorin vetë dhe s’ka asgjë prej Florentino Arizës të kohës së kolerës. ky është Florentinoja i paemër i feisbukut, i cili me praninë e vet në këtë libër shpërfaq personazhin më surrealist të ditëve tona, personazhin që e ka qafën e zgjatur prej gjirafe, duke e lakuar drejt ekranit të celularit, që e përdor vetëm dorën e majtë (se tjetrën e ka të zënë me telefon), që iu kanë zhvilluar më tepër dy gishtat e dorës, treguesi dhe gishti i madh, që ka humbur idenë për minutat e orët, që është një rob digjital, përherë i shqetësuar, që shqetësimin e kushtëzuar nga drita e aparatit të celularit e ka gjendje…
KY LIBËR VJEN SI NJË ZË NDRYSHE NË LETRAT TONA
Ajo që bie në sy dukshëm është njësimi jo i rrallë i narratorit me personazhin e, ku e ku, edhe me zërin e autorit. Ka raste kur rrëfimi bëhet në vetën e dytë, duke folur me Ti. Një ti që është gjithkushi, që është emër përmbledhës i burrit që jeton në feisbuk, i burrit tragjik të cilit jeta i shket nga duart pa e parë mirë. Ti je i shqetësuar,- i thotë narratori personazhit të tij.- ti je një rob digjital që lejon të ta marrin kohën e librit dhe fytyrën. Këto fjalë që i drejtohen një ti-je imagjinare prej personazhi më tepër ngjajnë si alterego e vetë shkrimtarit, i cili jeton në po këtë kohë dhe është i gllabëruar kokë e këmbë nga përjetimet kuantike, që e beson thellë se dreqi u bë telefon ngaqë nuk dinte ku të fshihej.
Midis këtyre prozave të shkurtëra përthyhen të gjitha dashuritë, ato që preken dhe ato që janë lojë e rrjetit, e instagramit dhe e shokëve të tij, madje e të gjitha llojeve të dashurisë që rastësisht kanë lindur në kohën e kësaj kolere vërshuse që quhet Feisbuk e që prodhon pa mëshirë kaq histori, i bën lëmsh dhe i hedh atje ku banojnë impulset e tij.
Shikuar në tërësi ky libër vjen si një zë ndryshe në letrat tona, një zë që i sfidon teknikat e zakonshme të shkrimit, madje edhe vetë zhanret letrare. Vjen si një status i zgjatur feisbuku, si një histori sa e vetme aq edhe e përgjithshme dashurie. Fjalitë e shkurtra eliptike, figurat e ndërtuara nga areali leksikor digjiital, që tanimë konsiderohen përditshmëri, i japin këtij libri një sharm të veçantë, i shtrojnë disa situata të njohura për akëcilin lexues, si dhe i hapin do kllapa për të reflektuar në ndërkohë se ku po rend e ku po vete jeta e, bashkë me të, edhe letërsia në kohën e masmedias, në kohën e internetit dhe ndjenjës kuantike të njeriut të sotëm. (koha.mk)