Maqedonisë së Veriut i mungon dialogu politik për shtigjet strategjike, arritjen e qëllimeve NATO dhe BE. Partitë politike në vend nuk nisen nga teza se sa do të fitojë vendi, sa do të fitojë apo humbë partia
Destan JONUZI
Shkup, 16 maj – Dialogu politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut edhe për një kohë të gjatë nuk do të jetë në një nivel kualitativ, deri sa funksionimi i partive të ndryshme politike bazohen në antagonizmat e të tjerëve. Kështu vlerësojnë për gazetën KOHA, analistë dhe njohës të zhvillimeve politike në vend, duke komentuar mungesën e dialogut politik në vend midis pushtetit dhe opozitës për çështje që janë në interes të qytetarëve.
“Dialogu politik në disa raste është edhe rezultat i mungesës së edukatës shtëpiake. Politikanët tanë nuk janë të gatshëm që të bisedojnë normalisht. Duke u bazuar në teorinë se mendimi im është ligj për të gjithë, apo për të ruajtur të drejtën e ekskluzive, dështon edhe dialogu i mirëfillt politik. Për momentin, Maqedonisë së Veriut i mungon dialogu politik për shtigjet strategjike, arritjen e qëllimeve NATO dhe BE. Nuk kemi dialog për arsye se pozicionet formalisht janë pro dhe kundër, ndërsa faktikisht të gjithë flasin për të njëjtën gjë, por ndryshe mendojnë për rrugën e realizimit të tyre. Partitë politike në vend nuk nisen nga teza se sa do të fiton Maqedonia e Veriut, ata nisen nga ajo se sa do të fitojë apo humbë partia”, deklaroi për gazetën KOHA, Aleksandar Çomovski, gazetar-njohës i zhvillimeve politike.
Nga ana tjetër, analisti Agim Jonuz, vlerëson se ende kemi parti të cilat bazohen në themele nacional-romantike, dhe që janë frenuesit e mëdhenj të dialogut politik. “Nëntëdhjetë për qind e partive politike kultivojnë dhe praktikojnë demokraci social- demokratike, të fshehur pas platformave të ndryshme, të cilat janë vetëm se maskë. Maqedonisë së Veriut në këtë moment i është e nevojshme një ‘reciklim’ urgjent me të cilin do të konstatohet se kush mund të merret me politikë”, tha për gazetën KOHA, Jonuz.
Ndërkaq, profesori universitar Vebi Bexheti thekson se forcat politike qeveritare, apo shumica parlamentare tani përsëri kanë nevojë për votën opozitare maqedonase dhe shqiptare sepse duhet të votohet Ligji për Prokurorinë Speciale, që kërkon gjithashtu dy të tretat e votave.
“Edhe këtu dallojnë qëndrimet mes opozitës shqiptare, e cila është për veprim të pavarur të Speciales edhe në të ardhmen, përkundër VMRO-DPMNE-së, që nuk e dëshirojnë këtë Prokurori të veprojë edhe më tutje si e pavarur. Si duket, ketë Prokurori si të këtillë çfarë është, nuk e do as edhe pozita, përfshirë edhe maqedonasit edhe shqiptarët. Nëse dikur, kur shpërthyen ,,bombat” e Zaevit, Specialja u imponua nga faktori ndërkombëtar dhe u prit mirë nga pozita madje edhe nga opozita, tani , si duket këtë Prokurori nuk e do edhe pozita sepse LSDM-ja tani e ka Prokurorin e vet të përgjithshëm, ndërsa BDI nuk e do nga droja se mund të jenë të goditur nga bombat ende te pashpërthyera”, potencon profesor Bexheti.
Ndërkohë, gazetarja Aleksandra Micoska Mitevska konsideron se në Maqedoninë e Veriut nuk ka mungesë të dialogut politik, por mungon vullnet politik që të merren parasysh argumentet e kundërshtarit politik kur ato janë në interes të qytetarëve dhe nuk janë në kundërshtim me interesat e ngushta partiake. “Shpresoj që Presidenti i ri do të arrijë që ta orienton dialogun politik në vend për çështje strategjike, për shkak se paralajmëroi bashkëpunim me opozitën si një nga prioritetet në mandatin e tij. Paraardhësit të tij nuk i shkonte për shtati për arsye se vepronte si përfaqësues i interesave të opsionin politik që e solli në atë detyrë. Për shkak të kësaj, dialogu politik gjithë këtë kohë u vendoste vetëm në situata krize, në kohë kur me asistim ndërkombëtar arrihej harmonizim i qëndrimeve të faktorëve politik për çështje kyçe për të ardhmen e vendit”, deklaroi për gazetën KOHA, Micoska Mitevska. (koha.mk)