Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë dy shtete të vetme që ndodhen një hap para portave të BE-së, e të cilat ende kalkulojnë me Rusinë. Janë të pikërisht këto dy vende që nuk i janë bashkangjitur sanksioneve për aneksimin e paligjshëm të Krimesë, edhe pse një gjë të tillë e kanë bërë të gjitha vendet anëtare të BE-së. Opozita shqiptare kërkon seriozitet më të madh dhe thotë se “BE nuk është lavatriçe për politikanë të korruptuar që mbështesin Putinin dhe agresionin rus”
Destan JONUZI
Maqedonia dhe Serbia janë shtetet e vetme të rajonit, të cilat janë para dyerve të BE-së, por në të njëjtën kohë kalkulojnë edhe me Rusinë. Ky konstatim del për shkak se pikërisht këto dy vende janë të vetmet në rajon që nuk i juanë bashkangjitur sanksioneve kundër Rusisë për shkak të aneksimit të paligjshëm të Krimes. Këto sanksione kanë nisur në vitin 2014 dhe në vazhdimësi janë ripërtërirë. Në shkurt dhe mars 2014, lajmi kryesor botëror ishte aneksimi i paligjshëm rus i gadishullit të Krimesë të vendosur në territorin ukrainas. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vendosën menjëherë sanksione ndaj Rusisë. Atë botë, në pushtet në Maqedoni ishte qeveria e VMRO-DPMNE e udhëhequr nga Nikolla Gruevski. Në atë periudhë, në mars 2014, LSDM si një opozitë e akuzoi për biznese të paligjshme ish-shefin e Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov, ndërsa Gruevski si kryeministër u mburr se Maqedonia është ndër katër shtetet me rritje më të lartë ekonomike në Evropë. Edhe atëherë, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian vendos të mos bashkohet me sanksionet e vendeve anëtare të BE-së për Rusinë.
Gjashtë vjet pas vendimit të qeverisë së atëhershme të VMRO-së dhe më shumë se tre vjet të kësaj qeverie të udhëhequr nga LSDM, vendimi është i njëjtë. Edhe tani Republika e Maqedonisë Veriore nuk i është bashkangjitur sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të paligjshëm të Krimesë. “Që nga viti 2014, Bashkimi Evropian në mënyrë progresive po vendos sanksione ndaj Federatës Ruse. Masat janë miratuar në përgjigje të veprimtarive për të minuar integritetin territorial të Republikës së Ukrainës dhe aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe Sevastopolit. Qeveria nuk u bashkua me masat e BE në 2014 dhe që atëherë nuk ka pasur asnjë vendim të ri”, kanë deklaruar nga Qeveria.
BE rinovon masat kufizuese çdo gjashtë muaj. Kohët e fundit, Bashkimi Evropian rinovoi sanksionet e vendosura në vitin 2014 deri më 31 korrik 2021. Sanksioneve të rinovuara menjëherë i janë bashkuar Shqipëria dhe Mali i Zi, megjithëse nuk janë anëtarë të Unionit, por jo edhe Maqedonia e Veriut. Pas ndryshimit të Qeverisë në Malin e Zi, kohët e fundit u ngrit pyetja nëse do të kishte një ndryshim në vendim. Ministri i ri i Jashtëm i Malit të Zi, Gjorgje Raduloviq, tha se ata nuk ishin armiq të Rusisë, por kishin informuar ambasadorin rus në Podgoricë se sanksionet mbeten në fuqi dhe se vendi do të bashkëpunojë me Moskën në të gjitha fushat që nuk shkelin përparësitë e tyre strategjike evropiane.
Për këtë, ka shprehur shqetësimin e saj edhe koalicioni opozitar shqiptar Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Alternativa (AAA). Ky koalicion shpreh shqetësimin e saj për politikat e jashtme të shtetit. Sekretari gjeneral i ASH-së, Arben Taravari akuzoi Qeverinë pse nuk është rreshtuar në krah të Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Taravari gjithashtu tha se Këshilli i BE-së ka marrë 21 vendime për të vazhduar sanksionet ndaj Rusisë, por qeveritë Zaev I dhe Zaev II, siç thotë, plot 21 herë kanë refuzuar sanksionet ndaj Rusisë. Taravari thotë se nga Aleanca për Shqiptarët dhe departamenti për eurointegrime kanë analizuar të gjitha deklaratat e përfaqësuesve të lartë të BE-së për politikën e jashtme që kanë të bëjnë me respektimin e sanksioneve, e që sipas tij, rezultatet janë shqetësuese për RMV-në. “BE nuk është lavatriçe për politikanë të korruptuar që mbështesin Putinin dhe agresionin rus, ndërsa kërkojnë integrim në BE. Maqedonia e Veriut duhet të sillet si një vend kandidat, e jo si të ishte ndonjë republikë ish-sovjetike, sepse këtë gjë e presin qytetarët tanë dhe e imponojnë edhe detyrimet tona ligjore ndaj BE-së”, shtoi Taravari.
Ndryshe, vendet e vetme të afërta në marrëdhëniet me BE që nuk janë bashkuar me këto sanksione deri më tani janë Serbia dhe Maqedonia. Serbia tashmë po negocion me BE-në dhe Maqedonia duhej të merrte një datë për negociata tani, por kjo nuk ndodhi për shkak të bllokadës bullgare të shkaktuar nga keqkuptimet dypalëshe. (koha.mk)