Në raportin vjetor të tij janë nënvizuar një sërë mangësish në funksionimin e thuajse të gjitha institucioneve por më problematike rezulton të jetë gjyqësori. Sipas raportit sistemin gjyqësor në Maqedoni e karakterizojnë ndërhyrjet politike, jo efikasiteti, standardet e dyfishta, vendimet që favorizojnë figura të caktuara politike, zvarritje të proceseve, shkelje e së drejtës për gjykim publik si dhe korrupsioni. Në fillim të protestave, policia arrestoi pjesëmarrës për akte të dhunës dhe lëndime të policisë. Kur kundër-protestuesit në qytetin Manastir, mbështetës pro-qeveritar të lëvizjes Civile për Mbrojtjen e Maqedonisë kryen akte të ngjashme të dhunës dhe lënduan policë, nuk kishte raporte të arrestimeve – thuhet në raport.
Në raport është nënvizuar edhe brutaliteti policor ndaj të akuzuarve në rastin e Kumanovës. Pavarësisht provave të avokatëve dhe raporteve mjekësore Ministria e brendshme nuk ka ndëshkuar asnjë polic. Avokatët e të dyshuarve kanë kërkuar shtyrjen e gjykimit për një kohë të pacaktuar, duke deklaruar se “tortura mbi të akuzuarit është e qartë dhe ndodh nga dita e parë kur janë arrestuar e deri në seancën e fundit gjyqësore”.
Gjykata i ka informuar avokatët se raporti mjekësor ka konfirmuar torturë fizike mbi dy të akuzuar të cilët kanë qenë me lëndime të lehta – thuhet në raport. Në raport është nënvizuar gjithashtu se i gjithë procesi rreth rastit të Kumanovës është karakterizuar me mangësi. Sipas Departamentit të Shtetit, problemet më të rëndësishme të të drejtave të njeriut dalin nga korrupsioni që ka depërtuar në çdo pore të shoqërisë, si dhe nga përpjekjet e vazhdueshme për të kufizuar lirinë e mediave.