Shkup, 21– Mali i Zi nuk kishte baza ligjore për ta ndaluar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski gjatë kalimit përmes territorit të shtetit. Për transitin e Gruevskit shërbimet malazeze i kanë informuar ato të Maqedonisë, tha ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq në konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup me nikoqirin e tij, shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
Përgjigja është e thjeshtë pasi pozita jonë ishte e thjeshtë. Ne nuk kishim kurrfarë baze ligjore për ta ndaluar qytetarin e Maqedonisë gjegjësisht ish-kryeministrin në automjetin me targa diplomatike nga një vend i huaj pasi në momentin kur ai kalonte përmes territorit të Malit të Zi në vendkalimet tona kufitare nuk pati kurrfarë sinjalesh se bëhet fjalë për person i cili është jashtë ligjit. Për të gjithë këtë ne i informuan shërbimet e Sigurisë në Maqedoni. Shërbimet tona këtë e bënë në një mënyrë si midis miqsh. Kështu që nga Mali i Zi nuk pati kurrfarë lojërash apo veprimet të fshehta, por vepruam ashtu siç e kërkojnë rregullat dhe ligjet tona”, tha Darmanoviq në pyetjen e gazetarëve.
I pyetur nëse deri më tani janë thirrur ambasadorët e Serbisë dhe të Shqipërisë në MPJ-në e Maqedonisë lidhur me rastin Gruevski, ministri Dimitrov informoi se ushtruesi i detyrës shef i Ambasadës së Maqedonisë ka pasur takim në MPJ shqiptare dhe ka informuar për informacionet që i kanë ata. Shtoi edhe se në nivele të tjera jashtë kontakteve diplomatike ka komunikim midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Takim është kërkuar edhe nga ambasada jonë në Beograd në MPJ-në serbe, që siç tha, të merren informacione zyrtare për atë se në çfarë mënyre ka hyrë dhe e ka braktisur Serbinë Gruevski .
“Ky takim mendoj se akoma nuk është mbajtur, në çdo rast presim të ketë një takim të tillë që të kemi të paktën në atë nivel të komunikimeve diplomatike informacione zyrtare”, tha Dimitrov.
Lidhur me atë nëse është e mundur për shkak të arratisjes së Gruevskit të vijë drejt prishjes së marrëdhënieve të Maqedonisë me Shqipërinë dhe Serbinë, ministri Dimitrov tha se rasti tregon se sa është i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal.
“Rasti tregon se kur një vend do të ballafaqohet me sfidë i gjithë rajoni ballafaqohet me sfidë dhe anasjelltas. Kur një vend bën një hap përpara sa është kjo e rëndësishme për të gjithë të tjerët dhe të gjithë rajonin. Ky është leksioni prej këtij rasti. Ne nuk kemi interesim të përkeqësojmë marrëdhënie, përkundrazi sa më përpara shkon Mali i Zi nëpër negociatat inkuadruese me BE-në, aq më mirë do të jetë për Maqedoninë. Siç dëgjuam edhe për Malin e Zi është mirë nëse ne e mbyllim procesin dhe hyjmë në anëtarësinë e NATO-s si vendi i 30-të anëtar”, tha Dimitrov.
Duke i komentuar deklaratat e Vuçiqiqit dhe Vulinit lidhur me mbështetjen e Maqedonisë dhe të Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, ministri Darmanoviq theksoi se Podgorica për herë të dytë jep mbështetje për këtë anëtarësim dhe se nuk shikon arsye se pse në Serbi po bëhet një dramë e tillë.
“Nga rajoni ynë për pranimin e Kosovës në Interpol votuan Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia dhe Sllovenia. Vetëm Bosnja ishte kundër. Të gjithë e dinim se kush si do të votojë. Ne votuam së bashku me shumicën bindëse me aleatët tanë të NATO-s dhe të BE-së. Dhe nuk shoh se pse ekzistojnë befasi të tilla përveç nëse ajo nuk është për përdorim të brendshëm politik. Në shumicën e rasteve Mali i Zi e ndjek politikën e Jashtme evropiane dhe të Sigurisë dhe e kuptojmë shumë seriozisht pozitën tonë në NATO”, tha Darmanoviq.
Për Dimitrovin bëhet fjalë për vendim i cili është konsistent me pozitën e Maqedonisë, e cila gjithashtu për herë të dytë jep mbështetje për pranimin e Kosovës në Interpol.