Është vetëm një “thashetheme” për momentin, sepse nuk ka komente zyrtare nga ana e UEFA-s apo e klubit të Shakhtar Donetsk, por sipas shtypit ukrainas dhe atij evropian, Darijo Srna, ka rezultuar pozitiv gjatë kontrollit anti-doping të bërë pas ndeshjes Shakhtar-Napoli, e fituar 2-1 nga ukrainasit, pak ditë më parë në “Champions League”. “Sportika”, një nga organet më të rëndësishme të informacionit në Ukrainë, ka nxjerrë lajmin e ardhur nga Turqia dhe që është publikuar menjëherë në Kroaci dhe vende të tjera të Evropës si Spanja. Futbollisti nuk luaji në ndeshjen e fundit të kampionatit ukrainas kundër Çernomorets. Trajneri i Shakhtar, Paulo Fonseka, tha se 35-vjeçari kishte nevojë për pushim.