Tani po shtrohet çështja se si mund të mbahet nën kontroll çmimi i energjenseve, se mungon një debat në opinion, një analizë e një qasje largpamëse, si dhe mungesa për vite me radhë e investimeve në sektorin prodhues të energjetikës
Nga Fisnik PASHOLLI
Deri në fillimin e sezonit të ngrohjes kanë mbetur edhe gati dy apo dy muaj e gjysmë, në varësi prej vjeshtës së vonë me temperatura më të larta apo më të ulëta. Tani mbetet të shohim se a do anulohet deri atëherë vendimi i fundit për shtrenjtimin e energjisë elektrike për gati 9 për qind së bashku me TVSH-në, nën trysninë e opinionit, por edhe të zgjedhurit e popullit që në Parlamentin e ardhshëm – do të duhej të ngrenë zërin kundër këtij shtrenjtimi në një kohë pandemie, me një standard në rënie,paqartësi ekonomike, të humbjes së vendeve të punës dhe rritjes së varfërisë.
Mirëpo, shtrenjtimi i rrymës që do të rëndojë xhepat e qytetarëve, që edhe deri tani kishin hallin që për çdo muaj të paguajë me rregull faturat e rrymës, po nxjerr në sipërfaqe se të gjithë po flasin për energjinë elektrike, e rrallë kush po flet për energjetikën në përgjithësi si një problem që prek shoqërinë, qytetarët,biznesin dhe shtetin në përgjithësi. Tani po shtrohet çështja se si mund të mbahet nën kontroll çmimi i energjenseve, se si po mungon një debat në opinion, një analizë një qasje largpamëse si dhe po mungojnë për vite me radhë edhe investimet në sektorin prodhues të energjetikës. Deri dje e paguanim faturën e shitblerjes jo transparente të rafinerisë OKTA që solli një kosto të madhe për konsumatorët në vend.
Sot e kësaj dite, por edhe nesër – po paguajnë edhe faturat për derdhjen e së paku 100 milionë euro në vit për blerjen e rrymës nga importi, po paguajmë edhe për mungesën në investimit më serioz, afatgjatë dhe me një strategji mirë të menduar në kursimin e energjisë dhe shfrytëzimin më racional të saj, duke ndihmuar më shumë se po praktikohet, sidomos popullatën më të prekur në aspektin material edhe në ndërrimin e dritareve dhe dyerve.
E të mos flasim për mungesën e investimeve serioze për ndërtimin e një kapaciteti serioz për prodhimin e rrymës, qoftë ai me gaz, mazut apo me energji bërthamore, ku mënyrën e pavarësimit energjetik të shtetit do tregojnë, shpjegojnë dhe argumentojnë ekspertët të fushave përkatëse. Qytetarët vuajnë edhe vonesën e gazifikimit të vendit, apo sjelljes së gazit deri në shtëpi me një çmim të arsyeshëm, më të lirë se rryma, me një kyçje falas , dhe një zgjerim maksimal të rrjetit në 90 për qind të territorit të shtetit.
Vuajmë edhe nga shfrytëzimi i vakët i energjisë diellore me 300 ditë me diell përgjatë vitit, shfrytëzimin shumë të vogël edhe të mbetjeve bujqësore apo blegtorale që mund të shërbejnë për ngrohjen e dhjetëra e qindra fshatrave me traditë më të madhe bujqësore. E të mos flasim për ndërtimin akoma në letër të deponive moderne që në botë po prodhojnë energji për amvisëritë. Çështje më vete është edhe mungesa e analizave serioze që do të tregojnë se a ka apo jo mbi punësime në kompanitë energjetike të shtetit, se sa ato janë efikase dhe racionale në punën e tyre dhe sa mundet dhe duhet ato të kenë rezultate më të mira në punën e tyre.