Pas dorëheqjes së Shpend Ahmetit si kryetari i Partisë Socialdemokrate, në krye të kësaj partie erdhi Dardan Molliqaj.
Gjatë ditës së sotme PSD mbajti zgjedhje të reja të parakohshme për shkak të ndryshimeve që vendosi të bëjë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Pas përfundimit të Kuvendit, për media foli zëdhënësja e PSD’së, Natyra Kuçi e cila tha se janë propozuar pesë kandidatë mirëpo vetëm Molliqaj e pranoi një post të tillë.
‘PSD ka mbajtur mbledhjen e kryesisë në të cilën u shpallën zgjedhjet e reja. Tani u zgjidh këshilli i ri drejtues. 83.6% dhe me votë të fshehur demokratike u zgjodh Kryetari i ri Dardan Molliqaj. 5 prej kandidatëve vetëm një pranoi propozimin për kandidim’, njoftoi ajo.
Ndryshe, prej 227 delegatëve, 83% votuan pro dhe 17% kundër dhe abstenim.
Dy prej kandidatëve të cilët nuk e pranuan postin për kryetar ishin Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri, derisa emrat e tjerë dhe detaje tjera priten të publikohen nga vet partia në fjale.
Kujtojmë se sot Ahmeti përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se dha dorëheqje nga ky post pasi që sipas tij, dëshiron të angazhohet vetëm në detyrat që i detyrohet komunës.