Shkup, 2 korrik – Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) sot informoi se aplikacioni TVSH-ja Ime është i sigurt për t’u shkarkuar dhe për instalimin me qëllim që qytetarët ta realizojnë të drejtën e kthimit të 15 për qind të TVSH-së së paguar. DAP i siguron qytetarët se të dhënat e tyre janë të mbrojtura maksimalisht dhe pa druajtje ta shkarkojnë aplikacionin i cili është vendosur në ueb faqen e tyre http://www.ujp.gov.mk.
“Lidhur me disa reagime të caktuara lidhur me gjoja pasigurinë rreth të dhënave personale gjatë instalimit të aplikacionit TVSH-ja Ime, Drejtoria për të Ardhura Publike njofton se aplikacioni është i sigurt për shkarkim dhe instalim me qëllim që qytetarët ta realizojnë të drejtën e 15 për qind të TVSH-së së paguar. Drejtoria siguron se të gjitha të dhënat e futura në aplikacion, siç janë e-mail adresa dhe numri i llogarisë transaksionare janë të sigurta dhe të mbrojtura prej çfarëdo keqpërdorimi”, thuhet në kumtesën e DAP.
Aplikacionin TVSh-ja Ime, siç theksojnë nga Drejtoria, qytetarët e shkarkojnë nga Google play store, shërbim i kompanisë multinacionale Google i cili ka kritere rigoroze nga aspekti i sigurisë si për kompaninë ashtu edhe për shfrytëzuesit e shërbimit.
“Gjatë shkarkimit të aplikacionit nuk kërkohen kurrfarë të dhënash. Kërkohet vetëm leje për përdorimin e kamerës. Gjatë shfrytëzimit të aplikacionit duhet të kyçen në sistemin e DAP-it dhe përdoret emri ekzistues abonues dhe fjalëkalimi. Në sistemin për kthimin e TVSH-së nuk ruhen të dhënat personale përveç llogaria transaksionale e cila lidhet me numrin e shfrytëzuesve dhe nuk mund të identifikohet se cilit person i takon”, thuhet në kumtesën e DAP.