Shkup, 23 gusht – Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) sot fillon me kontrollet tek personat fizikë dhe juridikë të ndërlidhura me rastin “Zhvatja”. Këto kontrolle i paralajmëroi pardje drejtoresha e DAP, Sanja Llukarevska, transmeton Koha.mk
“Do të veprojmë në pjesën që i përket tatimeve. Do të kontrollojmë Lidhjen Ndërkombëtare, 1TV. BMJ Grup dhe të gjithë tatimpaguesit e tjerë, për të cilët përmes analizave kemi vërtetuar se kanë ekzistuar raporte dhe bashkëpunime të caktuara afariste. Do të bëjmë edhe kontrolle të të gjitha personave të prekur fizikë në trupat e organeve të Lidhjes Ndërkombëtare, për të cilat do t’i vërtetojmë edhe pagesat që janë bërë”, tha Llukarevska në përgjigjen e pyetjes në konferencën e pardjeshme për shtyp.
Ajo precizoi se personat fizikë do të kontrollohen në bazë të të ardhurave të realizuara dhe në bazë të Ligjit për tatim personal, ndërsa detyruesit e tjerë tatimorë përmes TVSH-së, tatimit të fitimit, llogarive, marrëdhënieve afariste, tatimit të papaguar….
“Përmes pagesave që i ka bërë Lidhja Ndërkombëtare do të shohim në llogari të kujt nga personat fizikë janë paratë dhe nëse janë paraqitur. Nëse vërtetohen evazionet fiskale DAP do të fillojë procedura për origjinën e pronës”, tha Llukarevska. (koha.mk)