Ambasadori danez në Beograd, Morten Skovgaard Hansen, ka vlerësuar se Ushtria e Kosovës nuk ka përkrahje dhe ka bërë thirrje tek të gjitha palët në rajon që të kontribuojnë për ndërtimin e besimit dhe pajtimit. “Për sa i përket avancimit në transformimin e forcave të sigurisë së Kosovës në forca të armatosura, do të përsërisja vlerësimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s se veprime të tilla të njëanshme nuk do të ndihmojnë”, ka thënë ai në një bisedë për të përditshmen serbe “Blic”. Hansen kujton se sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u ka bërë thirrje qeveritarëve kosovarë që të jenë në “kontakt të afërt me Beogradin”, transmeton Koha.net. “Për sa u përket deklaratave të ndryshme në këtë rajon, ne vazhdimisht bëjmë thirrje që të gjitha palët të kontribuojnë në ndërtimin e besimit dhe pajtimit. Deklarata për armiqësi nuk ndihmon në këtë aspekt. Më vjen mirë që presidenti Vuçiq ka deklaruar se do të përqendrohet në raportet në rajon”, shtoi ai. Ambasadori danez thotë se pavarësisht se çka është arritur në dialogun në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, duhet të arrihen edhe tjera suksese. Në pyetjen se a do të kërkohet nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës për hyrje në BE, Hansen thotë se kushti i vënë është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në formë të marrëveshjes së detyrueshme ligjore.