Bruksel, 8 mars – Kristian Daniellson, ish-drejtor i përgjithshëm i Komisionit evropian, sot është emëruar nga ana e kryetarit të Këshillit të Evropës si ndërmjetës i BE-së në Gjeorgji.
Kryetari i Këshillit të Evropës, Sharl Mishel, sonte paralajmëroi se Daniellson do të bashkëpunojë me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Zhozep Borell, në tentimin që BE-ja të ndihmojë të zgjidhet konflikti politik në Gjeorgji.
Paralajmërimi vjen një javë pas vizitës së Mishelit në Gjeorgji ku i inkurajoi të gjitha palët të kthehen në tryezë negociimi dhe t’i përkushtohen dialogut politik.
“Zotëri Daniellson do të ndërmjetësojë në dialogun mes partive politike në Gjeorgji dhe do të bashkëpunojë prej së afërmi me ambasadorin e BE-së në Gjeorgji, Karl Harcel, me qëllim të tejkalimit të tensioneve politike në Gjeorgji”, kumtuan sonte nga kabineti i Mishelit.
Gjeorgjia është angazhuar në procesin e partneritetit me BE-në. Brukseli vlerësoi se mund të ndihmojë në ndërmjetësimin e tensioneve politike mes të gjithë faktorëve në vend dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të bashkëpunojnë në frymë konstruktive për “Gjeorgji stabile, demokratike dhe reformuese, të aftë të përparojë me sukses në rrugën e vet proevropiane”.