Heroi i papritur, që priti gjithçka. Daniel Subasic nuk u përmend asnjëherë përpara Botërorit si pjesë e “yjeve” të Kroacisë, sepse realisht nuk është, megjithatë nëse sot kroatët janë në çerekfinale duhet të falënderojnë portierin e tyre. 33-vjeçari nuk e nisi mirë ndeshjen, goli i pësuar nuk e la krejtësisht të paprekur nga përgjegjësitë. Nuk ishte e thjeshtë, sepse pamja e tij ishte e reduktuar, gjithsesi, reagimi mund të kish qenë më i shpejtë. Mandzukic riktheu gjithçka në ekuilibër dhe Subasic në disa raste kur u vu në provë u tregua i saktë dhe kur gjithçka vare nga aftësitë e tij, Subasic tërhoqi pas vetes dritat e skenës.
3 penallti të pritura. Përpara tij u gjunjëzuan Christian Eriksen, Lase Schone dhe Nicolai Jorghensen. 3 mrekulli që e dërguan në qiellin e 7-të Kroacinë, i shpëtuan në “jetën” Luca Modricit dhe kanë përforcuar edhe më shumë ëndrrën madhështore të skuadrës ballkanase.
Sigurisht, për ata që e ndjekin futbollin, Daniel Subasic nuk është një i panjohur që u mor nga rruga për t’i besuar portën e një kombëtareje me vlera. Ai prej 6 vitesh mbron portën e Monacos në kampionatin francez, madje ishte protagonist në titullin e fituar nga bardhekuqtë në 2017-ën, teksa ka veshur fanellën e përfaqësuese kroate që nga viti 2009, duke zhvilluar 41 takime. Ky është Botërori i dytë që është pjesë e përfaqësueses, ndërsa postin e titullarit e mori në Europianin e Francës. 33 vjeç ishte Antonios Nikopolidis kur Greqia ktheu të pabesueshmen në realitet më 2004, 33 vjeç është sot Daniel Subasic, thjesht rastësi apo rruga drejt përjetësisë do të jetë e njëjtë?