Evis HALILI
Shkup, 15 mars – Muret e kangjellave rrethuese të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore (ITSHKSH) janë damkosur me simbole dhe parulla me ngjyrë të zezë me mbishkrimet “Vdekje shqiptarëve”, kryqe, e të tjera, shkruan gazeta KOHA. Ngjarja supozohet se ka ndodhur në orët e vona të mërkurës në mbrëmje, pas miratimit të Ligjit për zyrtarizmin e gjuhës shqipe. Debatet dhe incidentet në Parlament kanë ngacmuar sentimentet shoviniste dhe ksenofobe, duke shënjestruar objektin ku gjendet ITSHKSH, në një zonë të populluar kryesisht me maqedonas, por edhe pa asnjë masë sigurie, apo kamera vëzhgimi. Kjo nuk është hera e parë që ky institucion sulmohet dhe autorët nuk kanë arritur të kapen nga policia. Madje, edhe tabela e këtij institucioni për disa vite me radhë ka qëndruar e mbuluar, për të mos u sulmuar nga vandalët. Në një njoftim të ITSHKSH pas incidentit, gjykohet ky akt vandal dhe shprehet keqardhja që edhe pas gjithë kësaj pune të Institutit në afrimin e komuniteteve në vend, përsëri sulmohet pikërisht kjo çerdhe e shoqërisë multientike në Maqedoni.
“Kështu si në vitin 1999, kur pas bombardimeve të NATO-s, disa huliganë e dogjën Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, mbrëmë përsëri – pas miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve – përsëri ky objekt, që tash është në shërbim të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, është sulmuar nga huliganë të tillë dhe është vandalizuar. Siç mund të shihet nga këto fotografi, mbrëmë gjatë natës në muret rrethuese të Institutit janë shkruar slogane fashiste kundrejt shqiptarëve, madje janë vizatuar edhe shenja që ky të shënjohet si objekt që duhet sulmuar…”, thotë drejtori i Institutit, Skender Asani.
Me këtë rast, shprehet më tej ai, ITSHKSH kërkon nga organet e rendit që vandalët të zbulohen sa më parë dhe të nxirren para drejtësisë, ndërsa u bën thirrje të gjitha komuniteteve në vend që ta ruajnë gjakftohtësinë.
“Sepse, vendi ynë po kalon në një kapërcyell të rëndësishëm të historisë së tij në rrugën euro-atlantike dhe për këtë të gjithë ne jemi përgjegjës për të ardhmen e tij”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni. Që kur ITSHKSH u vendos në zyrat e reja të ish godinës së ambasadës së SHBA-ve u prit me protesta nga banorët e zonës të cilët kërkonin që të largoheshin prej aty. Provokimet dhe incidentet nuk kanë munguar gjatë këtyre viteve dhe për shkak se zyrat vetëm janë në përdorim dhe jo në pronësi të institutit objekti nuk është i pajisur as me kamera vëzhgimi të cilat të paktën mund të minimizonin incidentet dhe aktet e mundshme vandale.
“Jemi sulmuar vazhdimisht, në forma të ndryshme, por këtë herë simbolet që janë zhgaravitur janë tendencioze dhe fatkeqësisht kanë një ngjashmëri me ato shenjat që dikur vendosnin nazistët për të identifikuar shtëpitë dhe objektet ku jetonin çifutët. Kemi informuar policinë dhe jemi në pritje të sqarimit të situatës dhe kapjes së autorëve”, thotë drejtori Skënder Asani. (koha.mk)