Omer XHAFERI
Shkup, 18 prill – Pas përfundimit të dënimit me burg, pjesa dërmuese e personave që ligjërisht kanë qenë të privuar nga liria, nuk posedojnë dokumente personale, në këtë rast letërnjoftim apo pasaportë, shkruan gazeta KOHA. Problemi më serioz në këtë rast paraqitet tek ata persona të cilët janë të varur nga lëndët narkotike dhe të cilët gjatë qëndrimit në burg kanë filluar me pranimin e terapisë me metadon, ndërkohë një trajtim të tillë ata nuk kanë arritur ta pranojnë pasi që kanë dalë nga burgu, për shkak se pa letërnjoftime nuk mund të shfrytëzojnë shërbimet e Fondit të shëndetësisë. Këto informacione se fundmi i kanë publikuar nga Organizata “HOPS”, nga theksojnë se brenda pesë viteve të fundit në qendrat e tyre të pranimit në Shkup janë regjistruar 36 raste të kësaj natyre. Në përshkrimin e aktiviteteve të tyre, nga kjo shoqatë thonë se në fund të vitit 2016 tek ata për ndihmë është paraqitur një ish i burgosur (person i varur nga droga) i cili kishte vuajtur dënim me burg prej 15 viteve.
KONSTATIMET E AVOKATIT TË POPULLIT
Sipas koordinatorit të njërës prej qendrave të HOPS-it, që gjendet në lagjen e Shuto Orizares, Tomisillav Ruzhin, personi në fjalë gjatë qëndrimit në këtë qendër kishte pasur sulm epileptik i shkaktuar s’i pasojë e krizave abstenciale, gjegjësisht nga mos pranimi i terapisë me metadon që nga koha kur kishte dalë nga burgu. “Duke u ballafaquar me këtë situatë, ne e thirrëm Ndihmën e Shpejtë dhe personin e dërguam në Klinikën për toksikologji. Mirëpo, në këtë repart shëndetësor nuk është pranuar dhe i njëjti është transportuar për në Spitalin psikiatrik në Bardovcë, ku e kishte pranuar një terapi simptomatike dhe më pas është lënë i lirë. Sidoqoftë, ai në këtë rast nuk ka pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor me barna të metadonit”, thotë koordinatori Ruzhin. Kategoria e të burgosurve që është e varur nga droga, siç thonë nga HOPS-i, rrezikun më të madh e kanë dy javët e para pasi që të dalin nga burgu, për arsye se gjatë kësaj periudhe në mungesës të pranimit të substituteve për varshmëri, ata përdorin lëndë narkotike të cilat shkaktojnë mbi dozën e cila shpesh rezulton me pasoja fatale, përfshirë edhe vdekjen, përcjell KOHA. Në bazë të nenit 193 nga Ligji për ekzekutimin e sanksioneve, Shtëpitë ndëshkuese përmirësuese detyrohen që tre muaj para përfundimit të dënimit me burg të fillojnë me përgatitjet për lirimin e të burgosurit, respektivisht sipas këshilltarëve juridike që punojnë në organizatën HOPS, kjo nënkupton nxjerrjen e dokumenteve personale dhe ato për siguri shëndetësore. Ndryshe, zyra e Avokatit të Popullit, ka konstatuar se në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në dhjetor të vitit 2016, prej gjithsej 1.724 të burgosuri në Burgun e Idrizovës, rreth 660 të burgosur nuk kanë pasur letër njoftim, me çka nuk kanë arritur ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. Rekomandimet dhe kërkesat e Ombudsmanit të Maqedonisë, për përmirësimin e kushteve në Shtëpitë ndëshkuese përmirësuese, posaçërisht ata shëndetësore edhe më tej vazhdojnë të mos merren me seriozitet nga autoritetet kompetente. Kjo vërejtje është përfshirë në raportin e fundit të Avokatit të Popullit, ku thuhet se vite me radhë ata ju apelojnë institucioneve shtetërore që me seriozitet t’i qasen kësaj problematike, megjithatë mos pranimin e rekomandimeve të tyre e vërteton numri i lartë i ankesave që ato i kanë pranuar nga vetë të burgosurit gjatë vitit 2016. “Në arsyetimin e parashtresave që i pranojmë nga të burgosurit, ata ankohen se nuk mund t’i shfrytëzojnë shërbimet shëndetësore gjatë orëve të pasdites apo orëve të natës. Njëherit, vërejtje e tyre është se shërbimet shëndetësore në burgje janë të pa mjaftueshme dhe jo të plota, respektivisht ata nuk mundur të marrin udhëzime për kontroll nga specialistë në repartet tjera shëndetësore. Po ashtu, kërkesat për kontroll të dhëmbëve nuk merren parasysh”, thuhet në raportin e punës së Avokatit të Popullit për vitin 2016.
NUK ZBATOHET LIGJI PËR EKZEKUTIMIN E SANKSIONEVE
Tre vite pasi kanë hyrë në fuqi ndryshimet e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve, dispozitat dhe normat që parashohin përmirësimin e kushteve shëndetësore nëpër Shtëpitë ndëshkuese përmirësuese, ende nuk kanë filluar të zbatohen. Ky konstatim po ashtu është përfshirë raportin e Avokatit të Popullit, në të cilin theksohet se përkundër normës ligjore e cila parasheh së shërbimet shëndetësore në burgje duhet të merren përsipër nga shtëpitë e shëndetit, si pjesë e shëndetësisë publike, në praktikë një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. “Mungesën e punonjësve shëndetësor nëpër Shtëpitë ndëshkuese përmirësuese e kemi konstatuar edhe ne. Kështu që me arsye parashtrohet pyetja se vallë personat që vuajnë dënimin me burg apo ato që qëndrojnë në paraburgim, pranojnë trajtim të mirëfilltë shëndetësor, gjegjësisht nëse ishte intervenuar me kohë a do të ishin parandaluar rastet me pasojave fatale”, thuhet mes tjerash në raportin e Avokatit të Popullit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara