Shqiptarët, po si shpendët shtegtarë, kanë patur një fat që të lëvizin në vende të ndryshme të botës, por për dallim nga shpendët shtegtarë, shqiptarët jo rrallë, pa dëshirën e tyre, kanë përfunduar në dhena të huaja. I tillë ishte edhe veprimtari dhe pedagogu Dalip Bomova nga Dibra, i cili më 15 janar të këtij viti ndërroi jetë në ShBA. Miqtë dhe familjarët e tij, që nuk ishin të pakt, e kujtojnë me respekt atë, kurse shkuarja e tij në amshim jo pak jehonë bëri edhe në Shkup, në një qytet ku Dalipi kaloi disa dekada në detyra të ndryshme si drejtues arsimi dhe si pedagog.
I përkushtuar ndaj dijes dhe emancipimit, Bomova te brezat e shqiptarëve në Shkup dhe gjetiu brumosi idetë e progresit, sepse vetëm në këtë mënyrë ai mendonte të trasonte ardhmëri të sigurt për shqiptarët në Maqedoni.
Në kohën kur ai ishte në detyra me përgjegjësi, në vitet më delikate për arsimin shqip, 1980-1988, arriti të ruajë shkollën shqipe nga degradimi që impononte politike e kohës dhe si i tillë u bë një model përfaqësimi nga gjeneratat e reja.
I lindur më 3 maj 1939 dhe i frymëzuar me ide përparimtare në familje dibrane, Dalip Bomova gjatë gjithë jetës së tij, edhe pas shkuarjes në Amerikë, barti me vete kandilin e atdhedashurisë dhe përkushtimit iluminist ndaj arsimit dhe kulturës shqiptare. Miqtë dhe ata që e njohën Dalipin flasin me pietet për të dhe tek ai shquajnë frymën bashkëpunuese dhe ngrohtësinë e njeriut që me vepra e punë të mira reflektonte sensin mobilizues.
Dalip Bomova shkoi në amshim, por kujtimi për të ka trajtën e veprave që ai u la trashëgim brezave në Maqedoni dhe bashkatdhetarëve në Amerikë. (D.K)