Daimin tashmë e njohin të gjithë, muzikën argëtuese dhe baladat i ka shumë për zemër. Vazhdon me projekte të reja duke mos u ndalur aspak, ndërsa vjen në një rrëfim për InfraRed të gazetës KOHA për të treguar të rejat e tij
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Na thuaj si e ke nisur me muzikë, si u bë pjesë e jetës tënde ajo dhe a keni ndonjë në familje që këndon më përpara se ju?
Që në fëmijëri jam marrë me muzikë dhe natyrisht me dëshirë e vullnet e shumë punë tani muzika më është profesion dhe pjesë e pandashme e jetës time, në familjen time gjyshja ime ka qenë këngëtare shumë e njohur në Kosovë dhe natyrisht pa pasur talent nuk mund të merresh me muzikë, jo që nuk ndihmon familja, por mbi të gjitha është talenti dhe atëherë e kombinon me kohën, nevojën dhe kërkesat e tregut.
KOHA: Po historia e vokalit si ka evoluar zëri kur keni filluar të këndoni?
Secili këngëtarë ka atë veçantinë dhe specifikat e vokalit, nuk bëj krahasime të tilla, por zërin e fal vetëm Zoti dhe natyrisht me punë të pandalshme arrihen të gjitha.
KOHA: Si jeni përshtatur në skena të ndryshme që keni kënduar?
Secila skenë, secili vend ku këndojmë është i veçantë dhe përshtatemi sipas arsyes dhe organizimit, në dasma e ahengje familjare ka rregulla, ne e dimë çfarë këndojmë në fillim në dasma, e dimë çfarë duhet kur vjen çifti e kështu me radhë, gjithmonë e kemi parasysh dhe qytetin ku këndojmë, pasi secili vend ka traditat e tij.
KOHA: I njohur kryesisht për të kënduar këngë të bukura shqipe, keni eksperimentuar gjatë këtyre viteve në skenë?
Më pëlqen ky stil i këndimit që kam është një stil e zhanër që e pëlqejnë dhe jam i kënaqur që pëlqehem nga publiku andaj ne bëjmë këngë për publikun.
KOHA: Kush ka ndikuar më së shumti në zhvillimet tuaja muzikorë?
Pas sukseseve të mia qëndron një ekip i madh që punon në realizimin e këngëve, bashkëpunëtori im i ngushtë Rrahman Kryeziu produksioni Vizioni Libonia, producenti Shaban Rexhepi, tekstshkruesit Fatmir Muja e Abaz Selmani e shumë bashkëpunëtorë të tjerë.
KOHA: Gjatë gjithë karrierës sa keni ndjerë lodhje ju?
Sezona e dasmave është jashtëzakonisht e ngarkuar, udhëtime në shumë vende, realizimi i albumit të gjitha këto bëhen verës, natyrisht që ka lodhje e nervozë po me vullnet e me punë kalohen, mbi të gjitha dashuria për muzikën i harron të gjitha.
KOHA: Po sekreti që je energjik në skenë dhe këndon pa pushim?
Varet ku performoj, nëse jam në ndonjë diskotekë, këndoj këngë për rininë, sepse publiku është i tillë, nëse jam në dasëm sipas rregullave, gjithë këto janë shumë motiv për mua që të vazhdoj edhe më tej për të bërë këngë të bukura.
KOHA: Ku jeton Daimi?
Jetoj në Tichino të Zvicrës bashkë me familjen time, jam me prejardhje nga Gjakova, po për shkak të angazhimeve të mëdha, më bie shpesh të jem në Kosovë dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët.