Daily Mail: Mania e Shqipërisë për bunkerët ushtarakë (FOTO)

Daily Mail, ka pasur në fokus, Shqipërinë nëpërmjet disa fotografive mahnitëse, të cilat tregojnë se çfarë kanë bërë shqiptarët me 175.000 bunkerët ushtarakë që janë ndërtuar, gjatë periudhës komuniste.

Fotografi britanik Robert Hackman fotografoi 250 prej tyre gjatë dhjetë viteve të fundit kur udhëtoi nëpër Shqipëri. Ai i përpiloi ato në një libër të quajtur Metamorphosis, ku i përshkruan bunkerët si një dokumentim të triumfit të popullit mbi shtypjen.

Më shumë se 25 vjet nga rënia e komunistëve, bunkerët e mëdhenj madje janë shndërruar në hambarë delesh, bare, restorante, tualete publike, hotele, muze dhe shtëpi. Ndërsa punonte për Komisarin e Lartë të Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara në 2001, Hackman vuri re se si shqiptarët kishin ripërdorur bunkerët dhe vendosi t’i fotografonte.

Ai tha: ‘E dija që ishte çështje e pazakontë dhe do të bënte një projekt të shkëlqyeshëm fotografik’.

Ai e nisi këtë projekt në vitin 2008 dhe fluturoi nga Londra për në Tiranë. Gjatë kohës që ai qëndroi në Shqipëri, në kërkim të bunkerëve, ai kuptoi se ata po fillojnë të zhduken shpejt. Tani, bunkerët mbrohen nga qeveria, por ato ende po zhduken.

Hackman tha: ‘Unë besoj se vendi ka humbur një mundësi për t’i ruajtur kujtimet për të gjithë ata që kanë vuajtur gjatë periudhës komuniste, dhe gjithashtu mohuan një mundësi të artë që bunkerët mund t’i sillnin turizmit’’.