Është bë pjesë e muzikës gjatë kohë ndërsa krahas asaj komerciale Dafina Dauti ka nisur edhe me këndim në dasma dhe thotë se është krejtësisht një tjetër ndjesi. Për më shumë lexojmë bashkë intervistën dhënë për InfraRed të gazetës KOHA duke e njohur më afër këngëtaren kosovare.
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Muzika u bë pjesë domethënëse e jetës tuaj?
Muzika ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja, që kur ishe e re në moshë. Por, ajo u bë pjesë domethënëse e imja momentin kur vendosa ta marrë seriozisht atë dhe t’i realizoj këngët e para. Tash që kanë kaluar shumë vite që nga debutimi im i parë në skenë, kur e mendoj, e kuptoj që muzika hyn në listën e gjërave më të dashura për mua.
KOHA: Vini nga ndonjë familje muzikantësh apo nevoja, koha dhe dëshira për muzikën?
Pasioni për muzikë ka filluar që kur isha e vogël, por duke u rritur, u rrit edhe dëshira për muzikë. Nuk mund të them se e kam trashëguar nga ndonjë person, thjesht është një talent që Zoti ma ka dhuruar dhe unë e kam shfrytëzuar për ta përmbushur veten dhe për ta bërë ëndrrën time realitet.
KOHA: Keni debutuar në skena të ndryshme çfarë iu është dashur për t’u përshtatur në të gjitha këto vende?
Muzika si art ka pasur ndryshime gjithmonë dhe çdoherë do vijnë revolucione që do i bëjnë ndryshimet, varësisht prej kohës. Kur kam filluar unë, muzika R&B ka qenë më e pëlqyer te publiku dhe nuk ka pas kaq shumë këngëtarë sa ka sot, prandaj, mund të them se kam përshtatur shijen e audiencës me talentin që e kam. Ndërsa, sot, unë jam këngëtare e muzikës popullore dhe edhe pse nuk kam shumë vite në këtë zhanër, publiku ka përqafuar këtë stil dhe sa herë shkoj nëpër mbrëmje muzikore, e shoh se e kanë pranuar ndryshimin që kam bërë në muzikë. Mirëpo, kjo nuk nënkupton se kam hequr dorë nga stili që e kam praktikuar në fillimet e mia.
KOHA: Jeni e njohur kryesisht për të kënduar këngë të muzikës së lehtë, këngë të muzikës popullore? Kush ka ndikuar më së shumti në zhvillimet tuaja muzikore?
Po, tash kam filluar të këndojë edhe muzikë të lehtë dhe popullore. Ndikimin më të madh në këtë pjesë e shoh të vetja. Jam tip që më pëlqen të eksperimentojë, ta sfidojë veten në tjera fusha dhe këtë gjë e kam bërë kur kam nisur këtë zhanër. Thjesht kam dëshmuar se di të bëj edhe këtë muzikë dhe jo të jem e kufizuar vetëm në një zhanër.
KOHA: Çfarë ndjesie është të këndosh në dasma? Sa dallon nga koncertet?
Të këndosh në dasma është tjetër ndjesi. Unë kam dy vjet që merrem me këndimin nëpër ahengje familjare dhe vërtetë është ndjenjë e mirë vet fakti që dikush ta beson atmosferën e një gëzimi që kanë. Jam e lumtur që kam arritur që këtë mision ta përmbushi me sukses, të paktën kështu kuptoj kur kryefamiljarët me falënderojnë pas përfundimit të ahengut. Nuk është se dasmat kanë shumë dallime nga koncertet, pasi që është e njëjta përgjegjësi.
KOHA: Dhe gjatë kësaj karriere tejet mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoze apo e lodhur?
Po. Çdo punë e ka edhe këtë pjesë, madje, do thosha se puna si kjo e imja është shumë e lodhshme. Koncertet dhe mbrëmjet muzikore që kanë zgjatur me orë të tëra, pastaj, pjesa koreografike e performances dhe takat e larta padyshim që kanë shkaktuar lodhje. Edhe nervoza nuk ka munguar në këtë mes. Ka pasur ndoshta ndonjë rast kur një planifikim nuk ka shkuar siç duhet dhe padyshim që jam nervozuar, por, janë gjëra që kalojnë dhe pa to nuk bën (qesh).
KOHA: Keni nxjerrë videoklipe ose albume muzikore? Ç’mund të na thoni për këtë? Çfarë mund të presin adhuruesit nga këto videoklipe e albume debutues?
Padyshim që kam shumë klipe dhe albume. Te këto të fundit, para dy vjetësh kam publikuar albumin me këngë “LIVE” ku kam zgjedhur disa nga hitet shqiptare të zhanrit popullor dhe i kam përpunuar sipas stilit tim. Albumi është pritur mirë dhe në fakt është një motivim për të sjell edhe këngë e albume tjera. Ata që e duan muzikën time, së shpejti do kenë projekte të mija që do t’i dëgjojnë, të cilat për momentin do i lë surprizë.
KOHA: Cili është sekreti tuaj, që në skenë ti je energjik, këndon 5-6 orë pa pushim fare?
Kur e do muzikën, kur e sheh që njerëzit vërtetë po kënaqen me zërin tënd, lodhja bëhet më e lehtë. Sekret, apo, veçanti do ta quaja disponimin e tyre dhe dashurinë që kam për ta. Derisa unë i këndoj këngët e tyre të preferuara, padyshim që kënaqem dhe unë me ta. Lodhja kalon, ndërsa, kujtimi i një mbrëmje të bukur mbetet gjithmonë në memorie.
KOHA: Jetoni në…?
Kryesisht në Prishtinë. Por, duke qenë se udhëtoj shpesh dhe shkoj edhe të vëllezërit e mi në Gjermani, nuk mund të them se gjithë kohën e kaloj në kryeqytetin e Kosovës.
KOHA: Mesazhi juaj për fund?
Mesazhi im është që secili të luftoj fort për ëndrrën e tij, të mos dorëzohet as në njëqind dështime. Nëse rrëzohesh, ngritësh përsëri! Mjafton të kesh dëshirë dhe ambicie, me ndihmën e Zotit, realizohet gjithçka.