Beograd, 27 korrik – Ministri serb i Punëve të jashtme, Ivica Daçiq pas bisedave që i apti me funksionarë të alrtë të SHBA-së vlerësoi se administrata amerikane në Uashington në mënyrë të hapur e mbështetë zgjidhjen e kompromisit me Kosovën, që Serbia duhet ta shfrytëzojë.
“Me ardhjen e administratës së re amerikane, Serbia ka atmosferë më të volitshme për paraqitjen e qëndrimeve të veta, mirëkuptim më të madh nga SHBA-ja, si dhe dëshirë për resetimin dhe rivitalizimin e marrëdhënieve, që do të ndihmojë në stabilizimin e gjendjes në rajon. Deri dy vjet më parë, kur flisnim me dikë, do të na thonin ‘kjo është një çështje e zgjidhur’. Tani ata thonë ‘duhet të ketë një kompromis. Ky është një ndryshim i madh”, tha Daçiq në një intervistë.
Daçiq pas takimeve ka thënë se është i kënaqur me bisedimet që kishte në Uashington me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Ues Miçell dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Xhon R. Bolton.
Daçiq beson se ndryshimi më i madh që erdhi me administratën e re amerikane është se ata janë “të gatshëm të dëgjojnë argumentet e Serbisë”.
Ministri i Jashtëm serb tha se për Beogradin është veçanërisht i rëndësishëm takimi me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Ues Miçll, sepse ai “tregoi mirëkuptim për interesat e Serbisë”.
Ai gjithashtu thekson se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Xhon Bolton është gati të dëgjojë një zgjidhje tjetër për Kosovën.
“Siç tha Bolton, ai vetë e përdori këtë term – se politika e jashtme amerikane në periudhën e mëparshme, domethënë para Trampit, ishte drejtuar nga disa autopilota. Kjo do të thotë në një drejtim të përcaktuar më parë dhe të pandryshueshëm. Për herë të parë, këtu i citoj fjalët e tyre, ata janë të gatshëm të dëgjojnë zgjidhje kreative për problemet e mundshme, duke përfshirë Kosovën. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme për ne, dhe është shumë e rëndësishme që këtu të ketë konsensus, këtu në Uashington”, tha Daçiq.
Ivica Daçiq ishte në Uashington me rastin e 100-vjetorit të ngritjes së flamurit serb në Shtëpinë e Bardhë, i theksuar si një shenjë e njohjes së Serbisë për pjesëmarrje në Luftën e Parë Botërore. Ministri i Jashtëm serb beson se kjo është një pikë e mirë fillestare për “rivendosjen e marrëdhënieve” dhe gjetjen e interesave të përbashkëta.
Daçiq mori pjesë në një konferencë në Departamentin e Shtetit mbi Lirinë Fetare, të organizuar nga Sekretari i Shtetit, Mjak Pompeo. Ministri i Jashtëm serb thotë se gjithashtu u takua edhe me këshilltarin në Shtëpinë e Bardhë dhe dhëndrin e presidentit Tramp, Xhared Kushner, i cili, tha Daçiq, e përdori termin “Serbët janë njerëz të ashpër dhe të mirë”.