Beograd, 5 nëntor – Nëse tërheqja e njohjeve për Kosovën nuk është e vërtetë, siç pohojnë në Prishtinë, pse atëherë ankohen (ndaj Serbisë- plotësim ynë) pyet ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e citojnë atë mediat serbe, transmeton Koha.net.
Sipas medieve serbe, autoritetet e Prishtinës u janë ankuar institucioneve ndërkomb[tare për shkak të sjelljes së Serbisë, përkatësisht tërheqjeve të reja të njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa Serbisë i është thënë të ketë kujdes se si po sillet që të mos i irritojë shqiptarët.
Shefi i diplomacisë serbe i ka thënë TV Prva se nëse nuk është e vërtetë që dy vende kanë tërhequr njohjet për Kosovën, pse atëherë Prishtina ankohet dhe pse vendet perëndimore na kërkojnë të mos irritojmë Prishtinën?
“Po shihet qartë se kjo po i godet më së shumti meqë konsiderojnë se çdo gjë ka përfunduar dhe vazhdimisht përmendin ato 116 vende që kanë njohur Kosovën. Ja, le të besojnë edhe më tutje në përralla” citohet të jetë shprehur i ekzaltuar si fëmija ngucakeq ministri i Jashtëm serb, Daçiq, duke shtuar “Asgjë nuk them përmendësh, të gjitha janë nota të shkruara dhe jo vetëm nëntë vende kanë tërhequr njohjet, por ky numër do të rritet”, ka thënë ai.
Sipas ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, shtetet Dominika dhe Grenada kanë tërhequr njohjet për Kosovën, por Ministria e Jashtme e Kosovës ka mohuar të ketë tërheqje njohjes, rikujton Koha.net.