Bujar KURTAJ
Shkup, 13 shkurt – Erdon Daci dhe skuadra e tij Konjaspor nuk kanë të ndalur. Dy ndeshjet e fundit skuadra e U 21 ka arritur fitore identike me 2-0, ndërsa protagonisti kryesor ka qenë shkupjani Erdon Daci. Fillimisht Daci i kishte shënuar një eurogol Bashakshehirit për 2-0, ndërsa javën që shkoi shënoi golin vendimtar për 0-2 ndaj Alaniasporit në cilësinë e mysafirit. Këto gola dhe paraqitjet fantastike vijnë në momentin e duhur, pasi Erdoni për shkak të lëndimit qëndroi jashtë fushës së gjelbër për tre muaj.
“Mënyra më e mirë për tu rikthyer nga lëndimi, ishin dy golat dhe paraqitjet e mira që i kisha për U 21 të Konjasporit. Jam shumë i kënaqur dhe falënderoj Zotin që gjithçka po ecën mirë. Në dy ndeshjet e fundit ku unë u riktheva pas tre muajve pushim, arrita të shënojë dhe të ndihmoj skuadrën drejt fitoreve të reja. Në skuadër të gjithë sytë i kanë tek unë dhe presin që unë të vendos ndeshjet. Jam i lumtur që deri më tani gjërat po rrjedhin mirë, shpresoj se edhe në të ardhmen do të vazhdoj me këtë temp”, thotë për gazetën KOHA, Erdoni.
Ndryshe, pas paraqitjeve të mira, U 21 e Konjasporit gjendet në pozitën e katërt në tabelën e klasifikimit, ndërsa sipas Dacit kjo është hera e parë që klubi po e arrin një gjë të tillë. “U 21 e Konjasporit nuk ka arritur asnjëherë në historinë e saj të jetë në krye të tabelës. Jo vetëm që jemi në mesin e katër skuadrave më të mira, por këtë sezon kemi arritur ti mundim skuadrat gjigante si Gallatasaraj, Fenerbahçe dhe Beshiktash. Jemi një grup jashtëzakonisht i mirë dhe gjithçka po funksionin sipas planit”, shtoi më tej Daci, paraqitjet e të cilit dhe shokëve të skuadrës në çdo ndeshje ndiqen nga stafi teknik i skuadrës së parë të Konjasporit. “Në çdo ndeshje që e luajmë trajneri i parë i skuadrës së Konjasporit, Mehmet Ozdilek e dërgon ndihmësin e tij për të parë ndeshjet tona, derisa pas çdo ndeshje ai i merr videon e ndeshjet dhe më pas e shikojnë. Dua të them se vazhdimisht jemi nën vëzhgimin e tyre dhe nuk përjashtohet mundësia që në verë ndonjëri prej nesh të bëhet pjesë e skuadrës së parë”, thotë sulmuesi 19-të vjeçar, i cili pas transferimit të Konjaspori para gjashtë muajve, arriti të shënojë 4 gola.
“Katër gola nga pesë ndeshjet është bilanci im prej kur u transferova te Konjaspori nga KF Vardar. Sigurisht se numri i ndeshjeve dhe golave do të kishte qenë më i madh, nëse para tre muajve në ndeshjen kundër Akhisar Beledije ku unë shënova gol, nuk do të kisha pësuar lëndim, pasi një futbollist ndërhyri rëndë ndaj meje. Mirëpo, tani ajo i takon të kaluarës dhe nuk dua të rikthehem pas. Uroj që mos të pësoj lëndim dhe të vazhdoj me paraqitjet dhe golat për Konjasporin”, përfundoi Erdon Daci, i cili me skuadrën turke ka nënshkruar kontratë tre vjeçare. Ndërkohë, rast për të vazhduar serinë e fitoreve dhe golave, Erdoni do të ketë të premten, kur do të jenë nikoqir i skuadrës së Beshiktashit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.