Janë të parët në listën e shkollave sipas suksesit të maturës shtetërore. 30 për qind e maturantëve regjistrohen në universitetet jashtë Maqedonisë. Këtë vit u regjistrua nxënësi i tetë në Universitetin e Jalës, ndërsa nga gjashtë studentë nga Maqedonia të regjistruar në Harvard, tre janë nxënës i këtij kolegji
Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 prill – Kanë mbetur edhe pesë ditë nga përfundimi i afatit për dorëzimin e dokumenteve për regjistrim në paralelet e mesme të Kolegjit “Yahya Kemal” (CYK) të shpërndara në Karposh dhe Butel të Shkupit, në Gostivar, Strugë, Strumicë dhe Tetovë. Megjithëse nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) kanë të drejtën e regjistrimit pa limit të nxënësve në arsimin e mesëm, është vetë CYK që i ka vendosur kufizime vetes për numrin e nxënësve dhe paraleleve të reja që do të formohen për vitin e ardhshëm shkollor 2018/2019. “Sepse, bëjmë kujdes që të mos cenohet cilësia e shkollimit”, thotë për gazetën KOHA, Suria Tauk, përgjegjësi për komunikim me publikun. Kështu, për vitin tjetër, thotë se është caktuar të formohen vetëm 4 paralele në Karposh, nga 3 paralele në Butel, Strugë, Tetovë dhe Strumicë, si dhe 2 paralele në Tetovë. Në të gjitha shkollat ku ka edhe paralele të arsimit fillor, gjysma e vendeve janë të rezervuara për nxënësit e tyre, ndërsa gjysma tjetër për kandidatët që vijnë prej shkollave tjera. Regjistrimi i nxënësve do të bëhet me provim pranues, i cili do të organizohet në datën 22 prill (të dielën) në të gjashtë kampuset e këtij kolegji, që në Maqedoni ka kapërcyer 23 vite të funksionimit.
NXËNËS NGA 11 PËRKATËSI TË NDRYSHME ETNIKE
Kontribut që nuk janë kursyer ta japin deri tani është promovimi i multietniciteti dhe përfaqësimi dinjitoz i Maqedoni në botë. “Maqedonia është një shtet multietnik dhe jam shumë i sigurt se në drejtim të bashkëjetesës, kemi dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Në shkollat tona, të gjithë shkollohen bashkërisht. Pjesa më e madhe e nxënësve janë shqiptarë e maqedonas, por në tërësi kemi nxënës nga 11 përkatësi të ndryshme etnike. Gjithashtu e përfaqësojmë Maqedoninë në mënyrën më të mirë të mundshme edhe në arenën ndërkombëtare, përmes projekteve arsimore dhe garave të diturisë, prej ku nxënësit tanë kthehen çdoherë me medalje dhe çmime të fituara”, shprehet Ismail Erdil, drejtori i CYK në Karposh të Shkupit.
Ai thotë se nuk kanë frikë nga konkurrenca lokale, jo vetëm sepse konkurrenca e rrit cilësinë, por edhe sepse janë të sigurt në cilësinë që ata ofrojnë. Vite me radhë, nxënësit e këtij kolegji qëndrojnë të parët në listën e shkollave sipas suksesit në provimet e maturës shtetërore në Maqedoni.
“Edhe pse jemi shkollë private, gjithçka është në kontrollin e MASH-it dhe inspektorëve të arsim. Diploma që marrin nxënësit tanë është e barabartë me diplomat e të gjitha shkollave të mesme në Maqedoni. Përparësia është se këtu u mundësohet nxënësve mësimi i shkëlqyer i gjuhës angleze, dhe i dy gjuhëve tjera të huaja (turqishtes dhe gjermanishtes), krahas asaj që nxënësit kanë mundësi të shkollohen në gjuhët e tyre amtare, shqip dhe maqedonisht”, vëren Erdil. Të dhënat statistikore tregojnë se 30 për qind e maturantëve në CYK e vazhdojnë arsimin e lartë në universitetet jashtë Maqedonisë. Sot janë mbi 350 doktorë shkencash, të cilët paraprakisht kanë qenë nxënës në CYK.
Këtë vit, në Universitetin e Jalës u regjistrua studenti i tetë nga CYK, ndërkaq nga gjashtë studentë nga Maqedonia që kanë arritur të regjistrohen gjithsej në Universitetin e Harvardit, tre kanë kryer të mesmen në CYK.
Janë edhe dhjetëra nxënës të tjerë që kanë fituar bursa studimi nëpër universitetet tjera prestigjioze, përmes projekteve dhe garave të ndryshme ndërkombëtare ku ata marrin pjesë.
Drejtori Erdil thotë se çelësi i të gjitha sukseseve është cilësia e shkollimit. “Me pagesën e shkollimit është i garantuar vetëm 1-shi. Notat tjera nxënësit duhet t’i fitojnë vetë, duke mësuar dhe duke u aktivizuar në projekte arsimore dhe kërkimore”, shprehet ai, pa anashkaluar si element mjaft të rëndësishëm edhe ofrimin e kushteve të larta për mësim.
Si në arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm, CYK ofron shkollim sipas standardeve të larta, qëndrim tërëditor, mësim me tabela elektronike, paralele me mesatarisht 20 nxënës në klasë, mësim kabinetik dhe laboratorë moderne për informatikën, kiminë, fizikën dhe biologjinë, këndin zbulimeve dhe të ngjashme.
CYK RIMERR VETEN NGA PRESIONET E ANKARASË ZYRTARE
Fërkimet politike dhe presionet që vinin në Maqedoni nga Ankaraja zyrtare, lëkundën jo pak edhe shkollat e rreshtin e shkollave të CYK në Maqedoni, në drejtim të rënies së numrit të nxënësve, posaçërisht në vitin 2016/2017. Por shumë shpejt e rimorën veten dhe me interesimin e shtuar që presin të kenë këtë vit, thonë se do ta rikuperojnë “dëmin” e para dy viteve.
CYK, në Maqedoni nis punë në vitin 1996 si shkollë e mesme private, për tu zgjeruar më vonë me formimin paraleleve të arsimit fillor nga viti 2008, si dhe me paralele të arsimit parashkollor nga viti 2015 edhe. Këta të fundit, janë hapur prej para tre viteve në kampusin e CYK në Karposh dhe për momentin numërojnë 43 fëmijë të ndarë në grupet e fëmijëve që marrin përkujdesje në gjuhën shqipe dhe maqedonase.
Vetëm në shqip dhe maqedonisht, në kampusin e Kaposhit janë edhe paralelet e arsimit fillor dhe të mesëm të cilat kanë momentalisht 515 dhe 215 nxënës. Në nivel shteti, CYK numëron rreth 2000 nxënës, pjesa më e madhe e të cilëve në kryeqytet. Drejtori Erdil nuk përjashton mundësinë e zgjerimit në arsimin e lartë. Madje, “sipas planeve tona duhet të ishte formuar Universiteti, pasi nga bankat e shkollave të mesme tani deri kanë diplomuar 3500 vetë”, shprehet ai. (koha.mk)