Sofje, 1 korrik – Politikanët të cilët dëshirojnë të përfitojnë nga provokimet e vazhdueshme mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut ndoshta do të kenë përfitim afatshkurtër, por në afat të gjatë nuk kanë vizion dhe e dëmtojnë fqinjësinë e mirë dhe miqësinë mes të dyja vendeve, konsideron Cvetan Cvetanov, kryetar i Qendrës Euro-Atlantike të Sigurisë.
Cvetanov, në deklaratën për BGNES thotë se politikanët nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet t’i tejkalojnë paqartësitë, të bashkohen dhe të bashkëpunojnë, sepse siç bën të ditur, sot bota është shumë më e ndryshme se sa që ishte para disa dekadave.
Ai theksoi se shtetet e Ballkanit Perëndimor angazhohen që të jenë pjesë e një Evrope të fuqishme dhe të bashkuar pa kufij dhe kufizime, por paralajmëron edhe se ekzistojnë shumë vende të cilat nuk dëshirojnë që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e BE-së dhe anëtare e plotfuqishme e NATO-s.
“Ne dëshirojmë ta ndihmojmë Maqedoninë e Veriut dhe këtu duhet t’i jepet mirënjohje kryesimit bullgar me BE-në, e cila e mbante në agjendë temën për Maqedoninë e Veriut”, tha Cvetanov.
Por, megjithatë, sipas tij, Sofja mbetet pas në marrëdhëniet me Shkupin, madje edhe pas Athinës e cila pas zgjidhjes së kontestit për emrin ndërton relacione të mira me fqinjin verior.
“Problemi është serioz sepse Greqia e cila ishte shumë më e rezervuar për Maqedoninë e Veriut sot ka bazë shumë më të mirë për ndërtimin e partneritetit me të”, përderisa Bullgaria mbetet pak prapa”, tha Cvetanov.
“Është e nevojshme, tha ai, që të punohet në intensifikimin e bashkëpunimit, që do ta përforcojë ekonominë, sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Një projekt të tillë për zhvillim të rajonit, siç theksohet, është “Trimorie” në të cilin janë përfshirë tetë vende mes Detit Baltik, të Zi dhe atij Adriatik.