Bujar KURTAJ
Shkup, 13 janar – Matej Cvetanoski është zyrtarisht si lojtar i FC Shkupit. Sulmuesi anësor, një nga lojtarët më të spikatur në pjesën e parë të këtij me Vardarin, kërkohej nga disa klube shqiptare dhe në fund u vesh bardhekaltër. Autori i gjashtë golave ka nënshkruar për dy vite me Shkupin, që i bëri një ofertë serioze.
Fillimisht ishte Tirana që shikohej si favorite dhe bardheblutë e donin 23-vjeçarin si pasuesin brazilianit Elton Cale, i cili tani sapo është rikthyer për trajnerin Dede. Shkëndija e Tetovës gjithashtu ishte në bisedime me Cvetanoskin, por nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Tani e ardhmja e tij u vendos dhe kuqezinjtë e Tirana duhet të shohin për objektiva të tjerë në merkato.
Ndryshe, lajmi gjatë ditë së sotme e kanë zyrtarizuar edhe vetë FC Shkupi në faqen e saj zyrtare.
“Një ndër futbollistët më të mirë të sezonit vjeshtor në kampionatin vendor, Matej Cvetanoski nga sot është futbollist i ekipit tonë, me kontratë dy vjeçare. Cvetanoski që ishte më i kërkuari në afatin kalimtar ka pranuar kushtet e ofruara nga kryesia e klubit bardhekaltër për të qenë pjesë e skuadrës emblemë në vendin tonë, Shkupit për dy vitet e ardhshme. Kujtojmë se futbollisti që luan në të gjitha pozitat e sulmit, karrierën e tij profesionale e kishte filluar te Makedonija Gj.P, Pelisteri, ndërsa së fundmi ishte pjesë e Vardarit të Shkupit. Në sezonin që lamë pas Cvetanoski në gjashtëmbëdhjetë paraqitje ka shënuar gjashtë gola, duke i shtuar vetes edhe pesë asistime”, thuhet në njoftimin e klubit nga Çairi.
Në anën tjetër, pasi është prezantuar me fanellën e tij të re, atë bardhekaltër, për faqen e klubit ka folur vetë Cvetanoski.
“Jam shumë i gëzuar që do të jem pjesë e një klubi që ka histori të pasur si në vendin tonë, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Sipas meje ofertën që ma dhanë Shkupi ishte më e mira për karrierën time futbollistike. Shpresoj të fitojmë titullin, jam këtu për ta ndihmuar ekipin. Dua të shtojë dhe të falënderoj të gjithë për pritjen e mrekullueshme që më kanë bërë, ndërsa me një numër të futbollistëve njihem që më parë dhe besoj se shumë shpejtë do të adaptohem në lojë”, ka thënë futbollisti 23 vjeçar, që është edhe pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut. Cekim, Cvetanoski është përforcimi i dytë i FC Shkupit gjatë afatit kalimtar të janarit. Më herët pjesë e skuadrës nga Çairi u bë edhe Kristijan Trapanovski, ndërsa ekipit të parë iu bashkuan edhe futbollistët e rinj Rejjan Abazi dhe Bilall Iseni. Gjithashtu FC Shkupi në sezonin pranveror do të udhëhiqet nga trajneri Hasan Ozer, i cili zëvendësoi Umit Karanin. Nga Çairi janë larguar deri më tani dy futbollist, Fatjon Jusufi dhe Darko Glishiq.
Ekspedita sonte shpërngulet në Antalia
FC Shkupi sonte në mbrëmje do të udhëtojë në Antalia të Turqisë ku do të zhvillojë përgatitjet kryesore për sezonin pranveror. Ekipit do ti bashkohet edhe trajneri Hasan Ozer, ndërsa përgatitjet do të zgjasin 22 ditë (deri më 14 shkurt). Deri më tani janë caktuar tre ndeshje kontrolluese: Zenit (ekipi i dytë) më 26 janar, Ahmat Grozni më 28 janar dhe 31 janar kundër Lvyv nga Ukraina.