Omer XHAFERI
Shkup, 27 gusht – Përgjatë katër viteve të kaluara kam punuar me përkushtim dhe transparence më të madhe. Me këto fjalë, kryetari aktual i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, të hënën e filloi dhënien e raportit para mediave, ku mes tjerash shtoi se kryeqendra e Maqedonisë është shumë më e bukur se sa ka qenë dhe po ashtu – më e pastër, shkruan gazeta KOHA. Duke folur për aktivitet dhe punimet të cilat ai dhe kabineti i tij i kanë realizuar gjatë këtij mandati, Trajanovski theksoi se asnjë kryetar i mëhershëm i Qytetit të Shkupit nuk ka realizuar më shumë projekte në vendbanimet shqiptare sesa që ka realizuar ai gjatë gjithë kohës sa ka udhëhequr me qytetin. Sidoqoftë, përkundër këtij qëndrimi, gjendja momentale në dy komunat urbane shqiptare në Shkup, siç janë Saraji dhe Çairi, është e mjerueshme. Bulevarde të stërngarkuara dhe të uzurpuara, rrugë kryesore të dëmtuara dhe të paasfaltuara, respektivisht rrjetet e kanalizimet në Çair dhe Saraj, që bien nën kompetencat e qytetit, edhe mëtej nevojiten të riparohen. Nga ana tjetër, Qyteti i Shkupit, pothuajse çdo vit gjatë mandatit katërvjeçar të kryetarit Trajanovski, ka ndarë mjete buxhetore për riparimin dhe ndërtimin e rrugëve “Cvetan Dimov” dhe asaj e cila në popull njihet si “Rruga e Plastikave”. Mirëpo, përpos një ndërhyrje të vogël në rrugën “Cvetan Dimov”, brenda këtij mandatit asnjë hap tjetër nuk është realizuar drejt zhbllokimit të këtyre rrugëve nga kaosi i madh që mbizotëron në komunikacion. “Nga ana jonë u realizua një ndërhyrje, në një pjesë të rrugës ‘Cvetan Dimov’, mirëpo zgjerimi i plotë i kësaj rrugë nënkupton prerjen e të gjitha drunjtëve në këtë pjesë të qytetit. Njëkohësisht, siç dihet, kjo rrugë është tejet e ngarkuar me ndërtime përskaj saj. Në këtë drejtim, ne kemi probleme të mëdha në zgjerimin e rrugës ‘Hristijan Todorovski Karposht’, e cila relativisht është më larg objekteve që gjenden në këtë rrugë. Në përgjithësi bëhet fjalë për një vendbanim të dendur, ne jemi munduar disa herë t’i nisim punimet, po ashtu kemi bërë disa projekte komunikacioni, megjithatë për shkak të problemeve të mëdha – ne jemi ndalur. Ndërkohë, sa i përket ‘Rrugës së Plastikave’, dua të them se ende është duke u punuar në këtë drejtim. Fillimisht ishte një projekt me gjelbërim, mirëpo me propozim tonin u ndryshua ky projekt – me të vetmin qëllim që objektet përreth të mos preken. Rrënimi i këtyre objekteve të mëdha nuk është i mundur për shkak se të njëjtit janë në proces të legalizimit dhe ekzistojnë një kohë të gjatë. Projekti i ri është duke u përgatitur dhe shpresojmë që gjatë vitit të ardhshëm, do të fillojnë punimet”, tha kryetari Trajanovski. Njëri prej problemeve kryesore me të cilët kryetari i Qytetit të Shkupit u përball gjatë mandatit të tij, ishte ndotja enorme e ajrit. Për të zvogëluar sasinë e PM masave në ajër, Trajanovski tha se gjatë vitit të kaluara janë ndarë 405 subvencione për blerjen stufave me peleta dhe nga ana tjetër – subvencionimin e mbi 2600 qytetarëve për blerjen e biçikletave. Ndryshe, ai nënvizoi se transporti publik i Qytetit tashmë është më i sofistikuar, duke theksuar se edhe autobusët privat janë përfshirë në sistemin e ri të pagesës me kartela, për të cilët këta të fundit shpesh ankohen se mënyra e re e pagesës bëhet me qëllim mënjanimin e tyre nga tregu i punës. Zgjedhjet lokale në Maqedoni janë caktuar që të mbahen më datë 15 tetor, përkitazi me këto zgjedhje – do të bëhet edhe zgjedhja për Qytetin e Shkupit, për të cilën kryetari aktual Koce Trajanovski, në disa raste ka deklaruar se mund të rikandidohet sërish. (koha.mk)