Shkup, 28 maj – Mënyra se si është formuar Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) dhe mos mënjanimi i rolit ndërmjetësues të ASK-së gjatë ndjekjes së komunikimeve, flet se reformat në sistemin e sigurisë janë vetëm mashtrim i publikut, e jo reforma reale sipas kërkesave thelbësore të BE-së, të cilat ishin parakusht për fillimin e negociatave me Unionin dhe me kërkesat e qytetarëve për institucione demokratike dhe transparente të sigurisë, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev.
Në konferencë për media, Çulevi i bëri thirrje Prokurorisë Publike e cila është kompetente që ta hetojë këtë rast serioz dhe në bazë të zërave të konfirmojë përgjegjësinë eventuale për moszbatim të ligjit dhe të konfirmojë, siç tha, se cila është përgjegjësia e udhëheqësisë së dikurshme të MPB-së dhe të udhëheqësive aktuale të ASK-së dhe të ATO-s në gjithë këtë situatë.
Në drejtim të tejkalimit të gjendjes së konstatuar, ministri Çulev ka dërguar akt të shkruar deri te drejtori i ATO-s me të cilin kërkon nga ana e tyre sa më shpejtë që është e mundur të veprohet sipas Ligjit. Gjatë ditës, paralajmëroi ai, do të dërgojë informacion deri te Qeveria në të cilin janë bërë të ditura hollësi për këtë problem.
“Kush qëndron pas faktit se ASK-ja ende e mban monopolin në sistemin e ndjekjes së komunikimeve dhe vallë ai skenar është krijuar dhe zbatuar nga struktura të caktuara politike. Agjencia për Siguri Kombëtare ende është pjesë e sistemit për ndjekjen e komunikimeve në mënyrë e cila është në kundërshtim me Ligjin, gjegjësisht ende ka mundësi për qasje deri te bisedat telefonike të cilat janë lëndë e përpunimit operativ nga ana e MPB-së”, sqaroi Çulevi.
Sipas tij, nga ana e shërbimeve të ekspertëve të MPB-së është konstatuar shkelje e ligjeve ku ish DSK, sot Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK), ende e ka mbajtur rolin ndërmjetësues në sistemin sa i përket hetimeve penale të cilat zbatohen nga ana e MPB-së. Katër vite pas raportit të parë të Pribes, tha Çulevi, gjendja në lidhje me ish DSK-në mbetet në masë të madhe e pandryshuar.
“Nën rekomandime të zbatuara me sukses nga Pribe fshihet vetëm manipulimi i vetëdijshëm i publikut dhe bashkësisë ndërkombëtare nga ana disa krerëve politikë të cilët janë ose kanë qenë në pozicione të larta në sistemin e sigurisë së shtetit”, theksoi Çulevi.
Ministri Çulev e pyeti kryeministrin aktual dhe ish ministrin e Punëve të Brendshme Oliver Spasovski se pse nuk i ka zbatuar detyrimet ligjore të drejtuara kah reformat e procesit të ndjekjes së komunikimeve dhe pse edhe krahas rekomandimeve të Pribes nuk ka ndërmarrë aktivitete për mënjanimin e rolit ndërmjetësues të ASK-së për ndjekjen e komunikimeve për hetime penale për të cilat është kompetente MPB-ja.
Drejtorin e ATO-s, e pyeti se pse në praktikë nuk i ka zbatuar nenet 2 dhe 3 nga Ligji për ATO-n dhe pyeti se vallë drejtori i ASK-së ishte vënë mbi ligjin me atë që ka lejuar gjendja e tillë të jetë deri sot e kësaj dite.
ASK-ja ende e ka ruajtur rolin ndërmjetësues, e kjo nënkupton, tha Çulevi, se ende ekziston mundësia teknike Agjencia të ketë mbikëqyrje në ndjekjen e komunikimeve të cilat janë zbatuar dhe janë kompetencë e MPB-së.
Ai iu bëri thirrje mes tjerash edhe Këshillit për mbikëqyrje qytetare të thonë se a e kanë konstatuar këtë gjendje dhe e kanë ndërmarrë masa adekuate.
Ai shtoi se për momentin nuk thotë se ASK kryen ndjekje të paligjshme të komunikimeve, por se në kundërshtim me ligjin, mundësia teknike ka mbetur.